“Oerd, ti ke ofertë?”, zbardhen debatet e Bashës me Bylykbashin dhe Nokën: Akuza ordinere! Qeverisja e PD ka pasur dhe llumin

11/10/2021 09:33

Kryetari i PD, Lulzim Basha mblodhi kryesinë e grupit parlamentar mbrëmjen e kaluar, kur pati edhe debate të ashpra për cështjen e vettingut.

Shkëndija e përplasjes mes Lulzim Bashës dhe Oerd Bylykbashit u bë një postim i deputetit demokrat në rrjete sociale ku fliste për “tregti kuajsh” mes PD-PS. Në fillim të mbledhjes, Basha i është drejtuar direkt Oerd Bylykbashit, duke e pyetur nëse ka ndonjë ofertë për mandatet e organeve të reja të drejtësisë dhe nëse është në dijeni që dikush brenda partisë ka marrë një propozim nga socialistët për shkëmbim.

Kreu i PD i tha Bylykbashit se këto deklarata dëmtojnë partinë. Ndërsa auzat nga një pjesë e bazës demokrate, kryedemokrati i cilësoi ordinere. “Qeverisja 8 vjeçare e PD ka pasur pjesën e vet të mirë dhe ka pasur edhe llumin” tha Basha më tej.

Oerd Bylykbashi: Ato lloj insinuatash tërhiqi kryetar. Unë po përsërisja një qëndrim që ta kam thënë në grup parlamentar, para dy javësh. Unë e kisha për Ramën atë postim. Qëndrimi im është në parim.  Duhet të ishte këtu kryetari i grupit i ngarkuar për vetingun i cili më ka kontaktuar mua ditën e enjte dhe i kam thënë kujdes se nuk është interesi ynë. Rama e di shumë mirë çfarë do, se e thotë në publik. Unë kam thënë Rama ofron pazar, nuk kam thënë që ka marrëveshje PD. Unë ta kam thënë në grup, ne na duhet sistemi zgjedhor, reforma zgjedhore, reforma territoriale dhe pastaj vetingu. Unë e kam thënë publikisht, ne na duhet një strategji për të gjitha reformat. Bateritë e partisë u turren ndaj meje,  është një reagim i ulët nga partia Demokratike ndaj meje.

Lulzim Basha: A di ti Oerd nëse dikush në parti ka marrë një propozim; më jep vettingun të të jap reformën territoriale?

Oerd Bylykbashi: Nëse ndodh kryetar, është një thikë pas shpine për demokratët. Është pazar i ofruar publikisht.

Flamur Noka: Po t’i referohemi demokracisë gjermane, dha dorëheqjen ai në Gjermani. Po ti referohemi demokracisë gjermane, ti duhet të kishe dhënë dorëheqjen dhe të kishe ikur.

Lulzim Basha: Dëgjoj akuza ordinere që po i bëj presione bazës. Qeverisja 8 vjeçare e PD ka pasur pjesën e vet të mirë dhe ka pasur edhe llumin.

Flamur Noka: Na thuaj cilin ke prioritet, sistemin, reformën zgjedhore apo territoriale?

Lulzim Basha: Prioriteti im është vetëm një; Largimi një orë e më parë i qeverisë Rama. Unë u kam ngarkuar detyra lidershipit të partisë për secilën reformë.

Oerd Bylykbashi: Aq sa kam thënë, nuk ndryshon. Po të them këtë gjë, po e pranove do dëmtosh demokratët. Nëse për vetingun merr sistemin zgjedhor, mua më ke nga pas.

Lulzim Basha: Refuzoni cdo ide se na qenka ofruar pazar i ndarjes territoriale për vetingun se është një dëm që i bëhet demokratëve.

Oerd Bylykbashi: Po ndodhi kjo dëmtohen demokratët. Qëllimi im është që të frenoj Edi Ramën, që mos të vazhdojë këtë histori.

Top Channel