Merrnin ilaçe me 20 dollarë dhe i shisnin me 500 mijë lekë, Gjykata jep vendimin për administratorët e subjekteve farmaceutike

11/10/2021 13:14

Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për administratorët e subjekteve farmaceutike që u hetuan për shitje të medikamenteve kontrabandë gjatë periudhës së Covid-19.

Burimet bëjnë me dije se nën hetim janë edhe 6 persona të tjerë në gjendje të lirë.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha tregon se ilaçet që u shitën në treg me çmim shumë herë më të lartë se sa u blenë janë: “inhixa, clexane, favira, alphagan, cyrotex, aricept, medro, co aprovel.”

Dyshohet se këto ilaçe u sollën në Shqipëri me 20 dollarë dhe disa prej tyre u shitën deri në 500 mijë lekë të vjetra. Të njëjtat burime konfirmojnë se të gjitha medikamentet që futeshin pa u regjistruar kryesisht përdoreshin për trajtimin e Covid-19.

Hetimi zgjati rreth 1 vit, ndërsa prokuroria kërkoi “arrest me burg”, por Gjykata vendosi t’i lërë në arrest shtëpie personat e identifikuar si: Blerim Bitri, 40 vjeç, administrator i një farmacie; Florian Marku, 39 vjeç, administrator i një farmacie; Margarita Xhaxhiu, 64 vjeçe, e dyshuar si dërguesja e mallrave kontrabandë; Jani Papuli, 66 vjeç, i punësuar nga Margarita Xhaxhiu; Florian Lila, 40 vjeç, administrator i një farmacie; Bashkim Osmani, 56 vjeç, administrator i një depoje farmaceutike.

Operacioni i koduar “Përfitimi”, u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Hetuesit kanë bërë blerje të kontrolluara në disa raste. Shitja e këtyre medikamenteve ka zgjatur përgjatë gjithë muajve.

Top Channel