Komisioni Hetimor për çështjen “Becchetti”/ Basha i përgjigjet Ballës: Ta harrojnë se do të lejojmë shkeljen e kushtetutës

11/10/2021 14:29

Kryetari i PD, Lulzim Basha i është përgjigjur Taulant Ballës për mosaprovimin e ngritjes së Komisionit Hetimor për Becchettin duke theksuar se opozita nuk do e lejojë shkeljen e Kushtetutës.

Në një prononcim për mediat, Basha tha se Komisioni Hetimor për çështjen “Becchetti” është e vetmja mënyrë për të mos lejuar që të dëmshpërblimi të mos rëndojë në xhepat e shqiptarëve, por të zyrtarëve të korruptuar.

Basha: Kushtetuta është e qartë sa i përket komisioneve hetimore. Të fshehësh ndoshta dosjen më të madhe korruptive të këtyre viteve nuk është në interes të Shqipërisë por të Ramës, Veliajt, Ëngjëll Agacit dhe Alma Hickës që janë të implikuar në një rast ku shqiptarëve po u merren 120 milionë euro për të dëmshpërblyer Bechetin. Ta harrojnë se do të lejojmë në heshtje shkeljen e kushtetutës dhe mosaprovimin e një komisioni hetimor që jo vetëm nuk e dëmton Shqipërinë, por është e vetmja mënyrë për të nxjerrë para përgjegjësisë dhe për të mundësuar që çdo lloj dëmi në përputhje me legjislacionin shqiptar të mos bjerë mbi xhepat e varfëruar dhe tavolinat e zbrazura të shqiptarëve, por mbi sarajet, pasuritë dhe llogaritë offshore të zyrtarëve të korruptuar të cilët janë shkaku i kësaj fature dhe këtij korrupsioni në rastin Becchetti.

Kujtojmë se pas përfundimit të mbledhjes së PS, kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka sqaruar vendimet për çështjen e komisioneve hetimore.

Balla tha se ngritja e Komisionit Hetimor për çështjen “Becchetti”, bie ndesh me interesat e Shqipërisë dhe me Kushtetutën e vendit.

Nga PD kanë ardhur tre kërkesa, njëra prej tyre bie në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi bie ndesh me Kushtetutën dhe interesin e Shqipërisë, pasi është në procese gjyqësore. Interesi më i madh është interesi i Shqipërisë. Shqipëria duhet të vazhdojë të mbrojë interesat e saj dhe ky ka qenë një sugjerim i Avokatit të Shtetit, i cili kërkon që kjo çështje të shtyhet dhe sapo Shqipëria të ketë ecur në procesin juridik dhe më pas mund të ngremë edhe këtë komision hetimor në një moment të dytë”, tha ai.

Top Channel