Gjyqtarja e posaçme Flora Hajredinaj e konsideroi të bazuar verdiktin që kishte shpallur më herët në mungesë ndaj ish drejtorit të përgjithshëm të RTSH Thoma Gëllçi dhe me këtë arsyetim e dërgoi në paraburgim nën masën arrest me burg.

Në qeli u dërguan edhe dy vartësit e tij Julian Tapia dhe Ervin Muraj , ndonëse secili prej tyre kërkoi masë më të lehtë me propozimin e bllokimit të pasaportës dhe të lëvizjeve jashtë vendit.

Ndërkohë vijon në kërkim anëtari i tretë i komisionit Alban Malaveci, që vendosi për tenderin e dyshimtë, në përfundim të të cilit u blenë pajisje për RTSH AGRO me fond limit gati 860 milionë lekë. Gëllçi i dyshuar për shpërdorim detyrë deklaroi se nuk ka kryer asnjë vepër penale, kurse avokati i tij insistoi se hetimi dhe arrestimi u krye për ta ndaluar ish-zyrtarin që të rikandidonte për të njëjtin pozicion.

SPAK këmbëngul se Gëllçi që ishte numri një i TVSH deri në muajin maj , shpërdoroi detyrën mbas një tenderi të hapur në dhjetor 2018 dhe që sipas kushteve në kontrate operatori ekonomik duhet të blinte pajisjet brenda 45 ditëve mbasi shpalljes si fitues.

Por ish-drejtori i përgjithshëm dyshohet nga Prokuroria e Posaçme se nënshkroi një afat të dytë përtej asaj që ishte rënë dakord.
Tre të tjerët dyshohen se shkelën barazinë në tendera duke skualifikuar firmën e cila më pas jo vetëm u ankua por edhe kallëzoi në prokurori.

Top Channel