Franca fiton edicionin e dytë të Nations League. Përfaqësuesja drejtuar nga Deschamps triumfoi në finale ndaj Spanjës me shifrat 2-1 në takimin zhvilluar në “San Siro” në Milano.
Në pjesën e parë dy skuadrat qëndruan në pritje, ndërsa duhet përmendur se u regjistrua vetëm një goditje në portën e Spanjës. E kundërta ndodhi në pjesën e dytë ku të dyja ekipet “ndezën motorët”.
Në minutën e 64′ Oyarzabal për Spanjën çoi topin në rrjetë duke hapur edhe serinë e golave. Kur pritej që ekipi spanjoll të fitonte terren nga goli i shënuar, vetëm dy minuta më vonë ishte Benzema që shënoi një supergol në trekëndëshin e portierit Unai Simon duke e çuar rezultatin në barazim 1-1.
Pas golit të barazimit Franca e rriti edhe më shumë presionin duke gjetur avantazhin pak minuta më vonë me yllin e saj Kilyan Mbappe. Sulmuesi i PSG i çoi shifrat në 2-1 për Francën në një aksion shumë të kontestuar pas një pozicioni jashtë loje të dyshimtë.
Shpjegimi i gjyqtarit për këtë rast lidhet me pikërisht devijimi e mbrojtësit që sipas tij tregon fillimin e një aksioni të ri dhe tentativë për t’u përfshirë në të, por që gjithsesi pak njerëz u bindën nga kjo gjë nga protagonistët dhe të gjithë futbolldashësit.
Në këtë mënyrë edhe pse mes kontestimeve Franca lë pas dështimin në “Euro 2020” dhe i shton koleksionit të saj një tjetër trofe.
Top Channel