Përfaqësues të diasporave shqiptare, boshnjake dhe malazeze në Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar një letër përfaqësuesve të Kongresit amerikan dhe administratës së presidentit Biden ku shprehin shqetësimin për veprimet e Serbisë dhe bëjnë thirrje për angazhim më të madh të Shteteve të Bashkuara për të ruajtur paqen dhe sigurinë në Ballkan.

Organizatat dhe veprimtarët nga këto komunitete shprehin alarmin për atë që ata e quajnë rritje të “militantizmit të qeverisë së Serbisë” ndaj Kosovës, por gjithashtu edhe ndaj Bosnje -Hercegovinës dhe Malit të Zi.

“Ne besojmë se kjo është një çështje shqetësuese për Shtetet e Bashkuara sepse rrezikon drejtpërdrejt paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe me atë paqe në Evropë në tërësi”, thuhet në letër.

“Ne pamë si përfaqësues organizatash dhe individë që e kemi një rrezik të përbashkët, e kemi një shtet që po çrrënjos paqen dhe stabilitetin e arritur në Ballkan dhe mbase kjo formë e bashkëpunimit ku gjithë komunitetet e shprehin qartazi këtë fakt, do të mund të kishte edhe vëmendje më shumë, por në fakt do të mund të tregonte një të vërtetë pak më qartazi për të tjerët, sidomos në këtë rast për Kongresin dhe Shtëpinë e Bardhë”, tha për shërbimin shqip të Zërit të Amerikës, një nga nënshkruesit e letrës, veprimtari Drilon Gashi në Uashington.

Në letër thuhet se ngjarjet më shqetësuese ndodhën së fundmi në Kosovë, ku “ku tanket serbe, avionët luftarakë dhe automjetet e blinduara u vendosën në afërsi të kufirit me Kosovën”, pas vendosjes së masës së reciprocitetit për target nga qeveria e Kosovës.

Pas vendosjes së kësaj mase, tensionet përfshinë veriun e Kosovës pasi serbët lokalë dhe Beogradi reaguan me zemërim. Protestuesit serbë vendosën barrikada në rrugë, duke bllokuar dy pikëkalime kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, ndërsa Beogradi ngriti shkallën e gatishmërisë ushtarake. Forcat policore dhe ushtarake serbe u mobilizuan përgjatë kufirit Kosovë-Serbi.

“Në lidhje me Kosovën ne shohim se duhet një përfshirje më e madhe amerikane për ta ruajtur paqen dhe sigurinë e arritur në rajon. Kjo do të thotë përfshirje në procesin e dialogut që po ndodh mes Kosovës dhe Serbisë. ‘Mirëpo për rajonin më gjerë kërkon një ambicie më të madhe për anëtarësimin më të shpejtë sidomos të Kosovës dhe Bosnjës në NATO”, tha zoti Gashi./ VOA

Top Channel