Ankandi i OSHEE-së nuk arriti të siguronte sasinë e kërkuar të energjisë elektrike për periudhën 13-17 tetor.

Furnizuesi i Tregut të Lirë SH.A, pjesë e shoqërisë OSHEE Group, i cili zhvilloi ankandin arriti të siguronte vetëm 24,920 MWh nga 44.400 MWh.

Ankandi u zhvillua në 3 faza përmes platformës online.

Në këtë procedurë, në të cilën morën pjesë 10 shoqëri vendase dhe të huaja, rezultoi se u sigurua me çmim mesatar 255.79 Euro/ MWh, rreth rreth 6.4 milionë Euro energji.

Furnizuesi i Tregut të Lirë SH.A sqaron se për plotësimin e sasisë së energjisë së kërkuar u zhvillua një ankand i dytë, në të cilën gjithashtu nuk u arrit të sigurohej sasia e energjisë së kërkuar. Pavarësisht zhvillimit të dy ankandeve, nuk u arrit të sigurohej sasia e kërkuar.

Administratorja e kompanisë FTL, Erina Rexhepi, sqaroi për mediat procedurën që ndiqet për blerjen e energjisë elektrike., procedurë e cila realizohet bazuar në Rregulloren e miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë me Vendimin Nr. 103, datë 23.06.2016.

Rexhepi u shpreh se është platforma IT online e cila bën automatikisht vlerësimin e ofertave mbi kriterin e çmimit më të ulët dhe plotësimit të sasisë së kërkuar për tu blerë.

Me qëllim rritjen e sasive të ofruara dhe mundësisë së uljes së çmimit  mund të realizohen faza optimizimi. Furnizuesi i Tregut të Lirë SH.A do të marrë masat e nevojshme për plotësimin e sasisë së nevojshme të energjisë elektrike.

Kujtojmë se ky vit ishte me prodhim të bollshëm energjetik për Shqipërinë. Të dhënat tregojnë se vendi ynë eksportoi 4 herë më shumë energji 6 mujorin e parë në krahasim me vitin e kaluar favorizuar nga kushtet e mira klimaterike. Por, Koorporata Elektroenergjetike nuk e parashikoi “thatësirën” e gushtit, duke detyruar OSHEE që në pjesën e mbetur të vitit të blejë energji për të mbuluar nevojat e konsumatorëve.

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se kriza energjisë që ka prekur gjithë botën ka ardhur edhe në vendin tonë.

Kjo krizë ka mbërritur tashmë në Shqipëri, teksa në pikat e karburantit, çmimi i naftës ka arritur mbi 190 lekë, ndërsa i gazit mbi 90 lekë. Ndërkohë energjia elektrike po blihet me çmime pesëfish më të larta në bursa se vitin e kaluar.

Top Channel