Aludimet e deputetit demokrat Oerd Bylykbashi për një pazar PS-PD për zgjatjen e afateve të organeve të Vettingut në këmbim të shtimit të disa Bashkive në hartën Territoriale ka shkaktuar përplasje të ashpra në mbledhjen e Kryesisë së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, raporton Top Channel.

Mbrëmjen e kësaj të diele, raporton Top Channel, kupola drejtuese e grupit parlamentar demokrat i ka kërkuar Oerd Bylykbashit të tregojë nëse është kontaktuar nga mazhoranca për këtë çështje.

Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve ka mohuar të jetë kontaktuar nga mazhoranca , dhe se në qëndrimet e tij i është referuar deklarimeve te kryetarit te grupit socialist Taulant Balla, mëson Top Channel.

Lulzim Basha me tone të ashpra ka kritikuar qëndrimet publike te deputetit Bylykbashi me argumentin se dëmtojnë  partinë në këto momente.

Shkëndija e përplasjes mes Lulzim Bashës dhe Oerd Bylykbashit u bë një shkrim i deputetit demokrat ku fliste për një pazar që kryeministri Edi Rama po i ofron Partisë Demokratike për reformën në drejtësi.

Selia blu mohoi zyrtarisht ekzistencën e një diskutimi jo vetëm me Partinë Socialiste, por edhe partnerët ndërkombëtarë.

Mbledhjet e kryesisë së grupit parlamentar kohët e fundit janë shoqëruar me debate te forta mes kryetarit demokrat dhe deputeteve të cilët publikisht janë rreshtuar krah Sali Berishes, që kërkon shkarkimin e Lulzim Bashës.

Lulzim Basha: Oerd ke ti ofertë për çështjen e vetingut?

Oerd Bylykbashi: Ato lloj insinuatash tërhiqi kryetar. Unë po përsërisja një qëndrim që ta kam thënë në grup parlamentar, para dy javësh. Unë e kisha për Ramën atë postim. Qëndrimi im është në parim.  Duhet të ishte këtu kryetari i grupit i ngarkuar për vetingun i cili më ka kontaktuar mua ditën e enjte dhe i kam thënë kujdes se nuk është interesi ynë. Rama e di shumë mirë çfarë do, se e thotë në publik. Unë ka thënë Rama ofron pazar, nuk kam thënë që ka marrëveshje PD. Unë ta kam thënë në grup, ne na duhet sistemi zgjedhor, reforma zgjedhore, reforma territoriale dhe pastaj vetingu. Unë e kam thënë publikisht, ne na duhet një strategji për të gjitha reformat. Bateritë e partisë u turren ndaj meje,  është një reagim i ulët nga partia Demokratike ndaj meje.

Lulzim Basha: A di ti Oerd nëse dikush në parti ka marrë një propozim; më jep vetingun të të jap reformën territoriale?

Oerd Bylykbashi: Nëse ndodh kryetar, është një thikë pas shpine për demokratët. Është pazar i ofruar publikisht.

Flamur Noka: Po t’i referohemi demokracisë gjermane, dha dorëheqjen ai në Gjermani. Po ti referohemi demokracisë gjermane, ti duhet të kishe dhënë dorëheqjen dhe të kishe ikur.

Lulzim Basha: Dëgjoj akuza ordinere që po i bëj presione bazës. Qeverisja 8 vjeçare e PD ka pasur pjesën e vet të mirë dhe ka pasur edhe llumin.

Flamur Noka: Na thuaj cilin ke prioritet, sistemin, reformën zgjedhore apo territoriale?

Lulzim Basha: Prioriteti im është vetëm një; Largimi një orë e më parë i qeverisë Rama. Unë u kam ngarkuar detyra lidershipit të partisë për secilën reformë.

Oerd Bylykbashi: Aq sa kam thënë, nuk ndryshon. Po të them këtë gjë, po e pranove do dëmtosh demokratët. Nëse për vetingun merr sistemin zgjedhor, mua më ke nga pas.

Lulzim Basha: Refuzoni cdo ide se na qenka ofruar pazar i ndarjes territoriale për vetingun se është një dëm që i bëhet demokratëve.

Oerd Bylykbashi: Po ndodhi kjo dëmtohen demokratët. Qëllimi im është që të frenoj Edi Ramën, që mos të vazhdojë këtë histori.

Top Channel