Kostoja e mizogjinisë. Shtypja e grave nuk dëmton vetëm gratë, por edhe burrat, shkruan The Economist
“Një grua që i jep makinës do të vritet”, thotë sheiku Hazim Muhammad al-Manshad. Ai i thotë këto fjalë me qetësinë më të madhe, si të ishin krejt normale. Rregullat e pashkruara të fisit të tij, al-Ghazi, në Irakun e Jugut, janë fare të qarta. Një grua që i jep makinës mund të takojë një burrë. Ekziston mundësia që “të shkelet nderi i saj”. Kështu të afërmit e saj meshkuj do ta vrasin, me thikë ose plumb dhe do ta varrosin trupin e saj në një dunë rëre.
Sheiku ka ftuar mysafirë në shtëpinë e tij. Ata qëndrojnë të ulur nëpër qilima në tokë, në një sallë ku nuk depërtojnë rrezet e diellit përvëlues të shkretëtirës. Ai i thotë të birit t’u shërbejë mysafirëve kafe të fortë dhe të hidhur, nga një filxhan i përbashkët. Sheiku mban edhe maskë në fytyrë për t’u mbrojtur nga Covid-19.
E megjithatë, kodi që ai përkrah është mizor. Dhe një nga synimet e kësaj mizorie është t’u japë mundësi burrave të kontrollojnë pjellorinë e grave. Një vajzë duhet të pranojë burrin që zgjedh i ati. Nëse del në shoqërinë e një burri tjetër, të afërmit e saj meshkuj duhet t’i vrasin të dy për të ruajtur nderin e fisit.
Gratë, kryesisht, qëndrojnë në shtëpi. Në qershor, korrespondenti i “The Economist” vizitoi tre fise shiite në Irakun Jugor dhe shëtiti nëpër fshatrat e tyre. Nuk vuri re asnjë femër të moshës pas pubertetit. Shtypja e grave nuk lëndon vetëm gratë; por edhe burrat. Ajo i bën shoqëritë më të varfra dhe më pak të qëndrueshme, argumentojnë Valerie Hudson nga Universiteti i Teksasit dhe Donna Lee Bowen dhe Perpetua Lynne Nielsen nga Universiteti Brigham Young.
Disa qytete në Irak janë mjaft liberale, sipas standardeve të Lindjes së Mesme, por pjesa më e madhe e zonës rurale është patriarkale në një nivel të skajshëm. Rendi shoqëror është ndërtuar rreth grupeve farefisnore mashkullore. Drejtuesit janë të gjithë burra. Në shtëpi, pritet që gratë t’u binden burrave, baballarëve ose vëllezërve. Në takimet fisnore, nuk ka fare femra. “Dua të jem i qartë: sipas zakoneve fisnore, një grua nuk duhet të ketë lirinë e shprehjes”, thotë Manshad.
Grupet farefisnore mashkullore kanë qenë njësia bazë e shumë shoqërive, për pjesën më të madhe të historisë. Ato u zhvilluan si një mekanizëm vetëmbrojtës. Burrat që ishin të lidhur me njëri-tjetrin kishin më shumë gjasa të bashkoheshin kundër armiqve të jashtëm.
Nëse ata martoheshin jashtë grupit, gratë largoheshin nga familja e vet për t’u bashkuar me burrat e tyre. (Kjo quhet martesë “patrilokale”, dhe është ende e zakonshme në shumicën e Azisë, Afrikës dhe Lindjes së Mesme.) Linja e gjakut konsiderohej se kalonte nga i ati tek i biri (kjo marrëveshje quhet “patrilineale”). Rolet pronësore dhe udhëheqëse gjithashtu kalonin në linjën mashkullore. Vajzat vlerësoheshin vetëm për nga aftësia e tyre për të lindur djem. Krijoheshin rregulla të rrepta për të siguruar “dëlirësinë” e grave.
Rregulla të tilla u krijuan për një botë ku nuk ekzistonin elemente si shtete moderne që të ruanin rendin, apo metodat moderne të kontracepsionit. Në vendet e pasura liberale, është braktisur me kohë ideja e grupit të farefisnisë mashkullore si blloku ndërtues i një shoqërie. Por gjetiu, çuditërisht, ajo vazhdon të jetë e zakonshme. Dhe në një kohë kur një grup ekstrem ka marrë në dorë pushtetin në Afganistan, ia vlen të shikojmë se si funksionojnë shoqëri të tilla.
Në librin “Rendi i parë politik: Si seksi formëson qeverisjen dhe sigurinë kombëtare në të gjithë botën”, zonja Hudson, zonja Bowen dhe zonja Nielsen, rendisin 176 shtete në një shkallë nga 0 në 16, në bazë të të ashtuquajturit “sindromi patrilineal/vëllazëror”. Kjo përfshin elemente si, trajtimi i pabarabartë i grave në ligjin familjar dhe të drejtat e pronësisë, martesa e hershme për vajzat, martesa patrilokale, poligamia, vendosja e një çmimi për nuset, parapëlqimi për djemtë, dhuna ndaj grave dhe qëndrimet shoqërore ndaj kësaj dhune (për shembull, a shihet përdhunimi si një krim pronësor ndaj burrave?).
Demokracitë e pasura kanë rezultate të mira në këtë listë: Australia, Suedia dhe Zvicra arrijnë rezultatin më të mirë të mundshëm zero. Iraku ka një rezultat tepër të dobët në shkallën 15, në të njëjtin nivel me Nigerinë, Jemenin dhe Afganistanin (para ardhjes së talebanëve).
Vetëm Sudani i Jugut ka një rezultat më të dobët se këto shtete. Kjo performancë e dobët nuk vihet re vetëm tek vendet e varfra (Arabia Saudite dhe Katari janë gjithashtu shumë dobët), dhe ato myslimane (India dhe shumica e Afrikës Nënsahariane gjithashtu janë shumë mbrapa). Në përgjithësi, autorët vlerësojnë se 120 shtete vuajnë ende nga kjo sindromë.
Si një patriark, Manshad pritet të zgjidhë problemet që i paraqesin burrat nga fisi i tij. Shumë prej tyre përfshijnë gjakderdhje. Ai thotë se dje, duhej të zgjidhte një mosmarrëveshje mbi tokën. Disa burra nga një fis tjetër po gërmonin rërë për të bërë çimento në një copë toke që pretendohej nga fisi i zotit Manshad. Konflikti u shoqërua me të shtëna armësh. Një burrë u godit në kofshë. Më pas u bë thirrje për një armëpushim për të diskutuar kompensimin, duke u ndërmjetësuar nga një fis i tretë. Në një incident tjetër pesë ditë më parë, u vranë tre burra gjatë një konflikti për një kamion. Ne kemi “shumë probleme të këtij lloji”, psherëtin sheiku.
Policia irakiane ngurron që të ndërhyjë në vrasjet fisnore. Fajtori mund të jetë i armatosur. Nëse ai vdes duke i bërë qëndresë arrestimit, të afërmit meshkuj do të ndiejnë një detyrë morale për të vrarë policin që e qëlloi. Policët nuk duan të përfshihen në konflikte të tilla. Është shumë më e lehtë për ta t’i lejojnë fiset që t’i zgjidhin vetë mosmarrëveshjet e tyre.
Por kodet e vjetra të nderit shpesh e shkelin ligjin irakian. Ciklet e hakmarrjes mund të dalin jashtë kontrollit. “Po vriten kalimtarë të pafajshëm”, ankohet Muhammed al-Zadyn, i cili këshillon guvernatorin e Basrës (një qytet jugor) mbi çështjet fisnore. “Lufta më e fundit me armë ishte pardje”, thotë ai. Muajin e mëparshëm ai kishte ndihmuar në zgjidhjen e një mosmarrëveshje tjetër, e cila datonte nga një vrasje në vitin 1995. Zadyn ka dy plagë plumbi në kokë, si pasojë e tentativave për hakmarrje.
Papritur, i bie telefoni; një konflikt tjetër ka nevojë për ndërmjetësim. Një grua është akuzuar për marrëdhënie seksuale jashtëmartesore. Deri tani, mbi këtë çështje janë vrarë shtatë persona dhe janë plagosur pesë. Për shkak se dy nga të vrarët ishin të moshuar, të afërmit e tyre thonë se tani ata duhet të vrasin dhjetë persona nga fisi tjetër për të shlyer hakun. Zadyn e pret një natë e gjatë.
Besnikëritë fisnore mund të dëmtojnë shtetin. Kur një anëtar i fisit punësohet në Ministrinë e Shëndetësisë, ai punëson kushërinjtë e pakualifikuar dhe është më i përkushtuar në krijimin e leverdive financiare për të afërmit e tij sesa për të përmirësuar gjendjen e vendit. Kjo është një pjesë e arsyes pse ministritë irakiane janë kaq të korruptuara.
Dhe kur shteti shihet si burim për grabitje, njerëzit luftojnë mes tyre. Iraku përjetoi pesë grushte shteti nga periudha e pavarësisë në vitin 1932, deri në marrjen e pushtetit nga Saddam Hussein në vitin 1979. Më pas, që atëherë, ka pushtuar dy shtete fqinje, është pushtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe është shfrytëzuar nga xhihadistët që krijuan një kalifat, në një kohë kur kurdët u dorëzuan, dhe milicitë shiite, disa të mbështetura nga Irani, u bënë pothuajse po aq të fuqishme sa vetë qeveria. Sigurisht, jo të gjitha këto dukuri negative janë faj i fiseve patriarkale. Por, nga ana tjetër, nuk mund të fajësohen për gjithçka forcat e huaja.
Zonja Hudson dhe bashkautorët e saj testuan lidhjen midis sindromës patrilineale dhe paqëndrueshmërisë së dhunshme politike. Ata studiuan regrese të ndryshme në 176 shtete, duke shqyrtuar elemente të tjera që mund të nxisnin konfliktet, si konfliktet etnike dhe fetare, historinë koloniale dhe kategorinë kulturore, si ndarjet midis Islamit, Perëndimit dhe Hinduizmit.
Ata nuk gjetën prova konkrete se sindroma shkaktonte paqëndrueshmëri – kjo do të kërkonte të dhëna më të thella që nuk ishin mbledhur ende ose eksperimente natyrore, që janë praktikisht të pamundura të kryhen në këto vende. Por gjetën një lidhje të fortë statistikore. Sindroma shpjegonte tre të katërtat e ndryshimit midis rezultatit që arrinin vendet në indeksin e Shteteve të Brishta, të përpiluar nga Fondi për Paqen, një qendër studimore në Uashington. Ajo ishte një parashikues më i mirë i paqëndrueshmërisë së dhunshme sesa të ardhurat, urbanizimi ose matja e qeverisjes së mirë nga Banka Botërore.
Autorët gjithashtu gjetën dëshmi se shoqëria patriarkale dhe varfëria shkojnë paralelisht. Sindroma shpjegonte katër të pestat e ndryshimit në sigurinë ushqimore dhe katër të pestat e ndryshimit të rezultateve të vendeve në Indeksin e Zhvillimit Njerëzor të OKB-së, i cili mat faktorë si jetëgjatësia, shëndeti dhe arsimi. “Duket se mënyra më e sigurt për të mallkuar kombin tënd, është duke nënshtruar gratë e tij”, thotë studimi në fund.
Seksizmi fillon në shtëpi
Pengesat me të cilat ballafaqohen femrat nisin që në barkun e nënës. Familjet që preferojnë djemtë, mund të abortojnë vajzat. Kjo ka qenë veçanërisht e zakonshme në Kinë, Indi dhe në rajonin e Kaukazit. Për shkak të abortit përzgjedhës mbi bazën e seksit dhe neglizhencës ndaj vajzave, të paktën 130 milionë vajza mungojnë nga popullsia e botës, sipas një vlerësimi.
Kjo do të thotë se shumë burra do të mbeten beqarë; dhe beqarët e frustruar mund të jenë të rrezikshëm. Lena Edlund, nga Universiteti i Kolumbias dhe bashkautorët e tjerë, zbuluan se në Kinë, për çdo 1% rritje në raportin burra-gra, krimet e dhunshme dhe të pronës rriteshin me 3.7%. Në disa pjesë të Indisë me më shumë meshkuj, gjithashtu ka më tepër dhunë ndaj grave. Kryengritja në Kashmir ka rrënjë politike, por nuk mund të anashkalohet fakti se ky shtet ka një nga raportet gjinore më të çekuilibruara në Indi.
Normat e familjes ndikojnë shumë. Ndoshta norma më destabilizuese shoqërore është poligamia (ku një burrë martohet me më shumë se një grua). Vetëm rreth 2% e njerëzve jetojnë në familje poligame. Por në vendet më të paqëndrueshme të botës, ajo është e përhapur. Në Malin e shkatërruar nga lufta, në Burkina Faso dhe Sudanin e Jugut, shifra arrin në mbi një të tretën. Në verilindje të Nigerisë, ku xhihadistët e Boko Haram kontrollojnë sipërfaqe të mëdha territori, 44% e femrave të moshës 15-49 vjeç, janë në bashkime poligame.
Nëse 10% e burrave më të pasur në botë do të kishin secili nga katër gra, 30% e më të varfërve nuk do të kishin asnjë. Kjo i nxit ata të vrasin burrat e tjerë dhe t’i grabisin ata. Mund ta kryejnë këtë duke formuar grupe banditësh me kushërinjtë e tyre, si në Nigerinë Veriperëndimore, ose duke u bashkuar me ushtritë rebele, si në Sahel. Në Guineja, ku ushtarët kryen një grusht shteti më 5 shtator, 42% e femrave të martuara të moshës 15-49 vjeç, ishin në martesa poligame.
“Çmimi i nuses”, një praktikë më e përhapur, është gjithashtu tepër destabilizues. Në gjysmën e vendeve, martesa zakonisht përfshin ofrimin e parave ose mallrave. Shumica e kulturave patrilineale këmbëngulin në këtë zakon. Burimet shpesh kalojnë nga familja e dhëndrit, tek ajo e nuses, edhe pse në Azinë Jugore zakonisht është e anasjella (e njohur si prikë). Shpesh bëhet fjalë për shuma të mëdha parash. Në rrethin Tororo në Uganda, një dhëndër pritet t’i ofrojë familjes së nuses pesë lopë, pesë dhi dhe para të thata, të cilat ndahen midis të afërmve të saj meshkuj. Si pasojë, “disa burra thonë: ‘ti je prona ime, kështu që unë kam të drejtë të të rrah’”, thotë Mary Asili, e cila drejton një degë lokale të Mifumi, një grup për të drejtat e grave.
Çmimi i nuses nxit martesat e hershme për femrat, dhe martesat e vona për meshkujt. Nëse vajzat e një burri martohen në moshën 15-vjeçare dhe djemtë e tij në moshën 25-vjeçare, ai ka mesatarisht dhjetë vite kohë për të mjelë dhe për të shumuar lopët që merr si shpërblim për vajzat, që të paguajë për martesën e djemve. Në Uganda, 34% e femrave janë martuar para moshës 18 vjeç dhe 7% para moshës 15 vjeç. Martesat e hershme ndikojnë që vajzat të kenë më shumë gjasa të braktisin shkollën, dhe të jenë më pak të afta për t’i bërë ballë një burri abuziv.
Një histori që ka ndodhur në Tororo është një ngjarje tipike që është përjetuar nga shumë gra të cilat bien pre e abuzimeve të tilla. Një gruaje të quajtur Nyadoi iu deshën plot 32 vjet për t’u ndarë nga i shoqi, megjithëse ky i fundit e kishte kërcënuar se do t’i priste kokën me një shat. Ai ishte “ai lloj njeriu që martohet sot, nesër dhe çdo ditë”. Nyadoi ishte vetëm gruaja e parë. Kur mori gruan e tretë, burri i saj shiti fletët e hekurit që kishte blerë Nyadoi, për të ndërtuar një çati të re. Mesa duket kishte nevojë për para për gruan e re.
Çmimi i nuses mund ta bëjë martesën të papërballueshme për burrat. Zoti Manshad në Irak ankohet: “Shumë të rinj nuk mund të martohen. Mund të kushtojë 10 mijë dollarë”. Kur e pyetën nëse mosmarrëveshjet vdekjeprurëse të fisit të tij mbi rërën dhe automjetet, mund të jenë motivuar nga dëshira për të mbledhur një shumë të tillë parash, ai ngriti supet: “martesa është një domosdoshmëri themelore në jetë”. Grupet kryengritëse shfrytëzojnë frustrimin e meshkujve për t’i rekrutuar ata. Shteti Islamik u jep luftëtarëve të tij gra si skllave seksi. Boko Haram u ofron trupave mundësinë për të rrëmbyer vajza. Disa talebanë thuhet se po trokasin nëpër dyer duke u kërkuar familjeve të dorëzojnë gra beqare për “t’i martuar”.
Unë nuk jam prona jote
Patrilinealiteti mbështetet në rregulla pronësie që favorizojnë burrat. Shumë shoqëri e bëjnë të vështirë që gratë të zotërojnë, ose të trashëgojnë prona. Ligjet e shkruara shpesh janë më të drejta, por zakonet patriarkale i tejkalojë ato. Në Indi, vetëm 13% e tokave zotërohen nga gratë. Disa studime kanë treguar se gratë që zotërojnë tokë kanë më shumë fuqi negocimi në shtëpi dhe kanë më pak gjasa të vuajnë nga dhuna në familje.
Nyadoi u përpoq të ndërtonte një shtëpi të vogël në tokën e prindërve që kishin vdekur, por kushërinjtë i thanë se nuk mundej, ngaqë ishte grua. Vetëm kur stafi nga Mifumi ndërhyri në një takim fisnor dhe përcaktoi të drejtat e saj, sipas ligjit të Ugandës, të afërmit e lejuan të zotëronte një pjesë të vogël toke. Ajo tani jeton atje, larg të shoqit abuziv. Shpesh qan teksa kujton “të gjitha vuajtjet për kaq shumë vite… dhunë, rrahje, prerje, dëbime”.
Shembulli në shtëpi është i rëndësishëm. Nëse djemtë shohin që baballarët nuk trajtojnë mirë nënat e tyre, ata mësojnë të keqtrajtojnë edhe gratë e veta në të ardhmen. Zonja Hudson argumenton se nëse gratë i nënshtrohen autokracisë dhe terrorit në shtëpitë e tyre, shoqëria është gjithashtu më e cenueshme nga kjo dukuri. Megjithatë ka arsye për optimizëm. Globalisht, kultura patrilineale po tërhiqet. Aborti përzgjedhës i vajzave është në rënie. Raporti mashkull-femër në lindje arriti kulmin në Kinë dhe Indi dhe që atëherë është në rënie. Në Korenë e Jugut, Gjeorgji dhe Tunizi, ky raport është kthyer sërish në normën natyrale.
Martesat e fëmijëve po bien gjithashtu. Që nga viti 2000, më shumë se 50 shtete kanë rritur moshën minimale ligjore të martesës në 18 vjeç. Në nivel global, 19% e grave të moshës 20-24 vjeç u martuan deri në moshën 18 vjeç dhe 5% deri në 15 vjeç, por kjo shënon një rënie krahasuar me përkatësisht 31% dhe më shumë se 10% në vitin 2000. Poligamia është më pak e zakonshme se më parë, dhe aty ku është e përhapur, shpesh është e papëlqyeshme, për shkak të dëmit që u shkakton grave dhe burrave jo të pasur. Grupet e grave kanë bërë thirrje për të ndaluar këtë praktikë në vende si India, Uganda, Egjipti dhe Nigeria.
Edhe në Irakun rural, disa tradita seksiste janë duke u zbehur. Zoti Manshad thotë se nuk është më e pranueshme që një burrë të shlyejë borxhet duke dorëzuar të bijën. “Është haram [mëkat]”, thotë ai, megjithëse feministët vendas thonë se kjo dukuri vazhdon ende. Tendencat e tjera që ndihmojnë në frenimin e kësaj praktike, përfshijnë urbanizimin dhe pensionet. Kur gratë zhvendosen në qytete, ato fitojnë paga më të larta dhe rrisin ndikimin e tyre në shtëpi. Edhe lidhjet fisnore kanë tendencën të dobësohen.
Kur shteti jep pensione, të moshuarit nuk varen më aq shumë nga fëmijët. Kjo dobëson logjikën e patrilinealitetit. Nëse prindërit nuk kanë më nevojë për një djalë që të kujdeset për ta, ata mund të mos e dëshirojnë një me aq zjarr, ose të këmbëngulin që ai dhe e shoqja të jetojnë me ta.
Pikërisht kjo ndodhi në Korenë e Jugut, vendi që në kohët moderne ka shpërbërë më shpejt sistemin patrilineal. Në vitin 1991, shteti barazoi të drejtat e trashëgimisë midis meshkujve dhe femrave dhe i dha fund së drejtës automatike të burrit për të marrë kujdestarinë e fëmijëve pas divorcit. Në vitin 2005, u hoq nocioni ligjor i një “kryefamiljari” të vetëm (zakonisht mashkull). Në vitin 2009, një gjykatë e shpalli përdhunimin martesor antikushtetues.
Në të njëjtën kohë, rritja e pensioneve shtetërore uli ndjeshëm numrin e koreanëve të moshuar që jetonin me djemtë dhe vareshin prej tyre. Gjithashtu, në një shtet ku vihej re një nga preferencat më të forta në botë për foshnjat meshkuj, brenda një brezi, kjo ndryshoi në një preferencë paksa më të madhe për vajzat.
Ndryshimi ishte aq i shpejtë saqë shkaktoi një reagim të ashpër mes burrave të zemëruar. Për krahasim, u deshën disa shekuj që kultura patrilineale të venitej në Perëndim, megjithëse ndryshimi nisi shumë më herët, që në shekullin e shtatë, kur Kisha Katolike ndaloi poligaminë, martesën e detyruar, martesat mes kushërinjve dhe përjashtimin e vejushave nga e drejta e trashëgimisë.
Qëndrimet individuale mund të evoluojnë. Në Ugandë, ku kanë ndodhur pesë ndryshime të dhunshme të qeverisë që nga pavarësia, 49% e grave dhe 41% e burrave thonë në sondazhe se ndonjëherë është e pranueshme që një burrë të rrahë të shoqen. Por kjo normë është në rënie. Në rrethin verior Lira, që ende po rimëkëmbet nga një luftë e gjatë kundër rebelëve, dhuna në familje është e shfrenuar, thotë Molly Alwedo, punonjëse sociale. Por ajo po bie. Alwedo vlerëson nismën “Baballarët e Vërtetë”, një projekt i krijuar nga organizata “Save the Children”. Ai ofron mësime për baballarët e rinj që të përmirësojnë marrëdhëniet dhe aftësitë prindërore.
Gary Barker nga OJQ-ja Promundo, thotë: “Ka gjithmonë burra që thonë, prit një minutë, unë nuk besoj në këto norma seksiste. Ata i shohin pasojat te nënat dhe motrat e tyre”. Mesazherët më të mirë janë vendasit, jo perëndimorët që japin leksione. Mentorët vendas nuk u tregojnë të rinjve se qëndrimet e tyre janë toksike, por i nxisin ata të flasin për atë çfarë ndodh në shtëpitë e tyre dhe nëse është diçka e drejtë. Bashkëmoshatarët shkëmbejnë këshilla se si të kontrollojnë zemërimin e tyre.
Kjo nuk funksionon kudo. Por një studim me 1,200 baballarë nga Uganda, zbuloi se përpjekje të tilla rezultuan në një rënie të dhunës në familje. Emmanuel Ekom, një burrë që ka marrë pjesë në programin “Baballarët e Vërtetë”, vinte në shtëpi i dehur dhe grindej deri në mëngjes, thotë e shoqja, Brenda Akong. Tani ai kryen punë që dikur i përbuzte si “punë grash”, si mbledhja e druve për zjarr dhe ujë. Një ditë, ajo erdhi në shtëpi dhe e gjeti duke gatuar darkë./Monito
Top Channel