‘Shqiptarët nuk paguajnë koston reale të energjisë elektrike që konsumojnë’/ Rama: Qeveritë e këqija rrisin pagat e pensionet pa marrë parasysh pasojat

09/10/2021 16:29

Në prezantimin e planit të posaçëm për përballimin e krizës energjetike, kryeministri Edi Rama të shtunën pasdite deklaroi se qeveria shqiptare ka krijuar një mburojë për pensionistët dhe për shtresat në nevojë. Rama tha se vetëm qeveritë e këqija do të ishin ato që do rrisnin pagat dhe pensionet pa marrë parasysh pasojat që mund të vijnë.

Kryeministri u shpreh më tej në fjalën e tij se çmimi i energjisë elektrike nuk është çmimi real, por i kontrolluar nga shteti për mbrojtjen e konsumatorit.

Rama: Pak ditë më parë ju drejtova një mesazh të drejtpërdrejtë, mbi shfaqjen e një krize energjitike të egër, në trajtën e rritjes marramendëse të çmimit të energjisë elektrike.

Sot jam këtu për t’ju thënë çfarë do të bëjmë ne, qeveria juaj, për ta përballuar këtë krizë, e cila kërcënon seriozisht buxhetet familjare, por edhe buxhetin e kompanisë sonë të shpërndarjes së energjisë, e për pasojë stabilitetin e të gjithë sistemit elektro-energjitik shqiptar. Ju kam dëgjuar me shumë vëmendje dhe mendoj, se është shumë e nevojshme, që kur ballafaqojmë opinionet tona, të marrim për bazë disa fakte reale. Sepse përndryshe nuk merremi dot vesh, e i biem njëri gozhdës dhe tjetri patkoit.

Duhet ta keni të gjithë mirë parasysh se nuk ekziston, asnjë kryeministër, edhe më i keqi në botë dhe asnjë qeveri, edhe më e keqja në botë, që nuk e ka dëshirën e vet të parë, të rrisë pagat e pensionet sa do të dëshironin qytetarët. Por vetëm qeveritë e këqija dhe kryeministrat e padenjë për besimin e popullit të tyre, rrisin paga e pensione, pa i marrë parasysh pasojat e rënda që sjell një rritje pagash e pensionesh pa u bazuar në faktet e realitetit ekonomik e financiar të vendit.

Të rrisësh paga e pensione apo të ulësh kontribute, përtej aftësisë paguese të qëndrueshme të arkës së shtetit, do të thotë të qeverisësh me logjikën e Sudes, jo me ndërgjegjen e atdheut dhe të vrasësh të nesërmen, në emër të së sotmes.
Dikush po thotë, se tetë vjet më parë paskemi pasur pagat më të larta në rajon dhe sot qenkemi të fundit, sepse nuk i kemi rritur më pagat në këto tetë vite. Por faktet nuk janë opinione dhe tabela e pagave në rajon flet ndryshe.
Ja pozicioni ynë tetë vjet më parë: Të fundit dhe me një diferencë domethënëse. Ja edhe rritjet e pagave në rajon përgjatë kësaj periudhe, kur diferenca është ngushtuar ndjeshëm me të tjerët, por ku disa të tjerë natyrisht nuk kanë qëndruar në vend, duke na pritur ne që t’i kalojmë.

Dikush tjetër thotë se ne i paskemi braktisur njerëzit në nevojë, duke filluar nga pensionistët, nderkohë që e paskemi rritur energjinë elektrike më shumë se sa në çdo vend të Europës. Po përsëri, faktet nuk janë opinione dhe le ta nisim nga kjo e fundit.

Ja çmimi i energjisë për konsumatorin familjar në Shqipëri në raport me shumë vende europiane.
Po, thotë pastaj dikush tjetër, po ata i kanë rrogat e pensionet shumë më të larta se sa ne. E vërtetë, shumë e vërtetë! Prandaj edhe e para, çmimi ynë nuk është çmimi real i energjisë që blejmë, po është një çmim i kontrolluar nga shteti për mbrojtjen e konsumatorit dhe e dyta, qeveria ka vendosur edhe një mburojë më vete për shtresat më në nevojë, e për pensionistët.

Cila është kjo mburojë?

Përsëri faktet e jo llafet, na ndihmojnë të shpjegojmë se ç’është kjo mburojë, por më parë le të shohim pak, se çfarë thotë tabela e llogarive të shtetit, lidhur me atë që thuhet papushim, jo sot po prej vitesh nga disa, të cilët pretendojnë se ne e paskemi rritur çmimin e energjisë.

Në kohën kur gjysma vidhte gjysmën tjetër dhe gropa e borxhit në sistemin tonë energjitik kthehej në një humnerë, që kërcënonte të merrte me vete shtetin si në 1997-ën, konsumatorët shqiptarë ishin ndarë në dy fasha.

Kryeministri Edi Rama thotë se me reformën në energjinë elektrike çmimi i saj është ulur në 9.5 lekë dhe që nga viti 2015 nuk ka lëvizur më, me qëllim për të mbrojtur konsumatorin.

Rama: Fasha e sipërme, pra njerëzit me të ardhura mesatare e të larta, kishte një çmim 13.5 lek për KËH, ndërsa fasha e poshtme, ku hynin njerëzit me të ardhura shumë të ulëta, që teorikisht konsumonin nën 300 KËH, e kishte kilovatin 7.7 lek.

Me reformën tonë çmimi i energjisë për të gjithë familjarët, pa asnjë përjashtim, jo vetëm nuk është ngritur, po u ul në 9.5 lek qysh në vitin 2015 dhe nuk është prekur më që atëherë. Ky është një çmim, nën koston e prodhimit dhe është mbajtur i palëvizur, pikërisht për të mos lënduar asnjë familje.

Nga ana tjetër, ne e hoqëm fashën e poshtme, sepse ishte një kënetë korrupsioni e abuzimesh të padëgjuara, ku deri edhe fabrika apo 7 kurora me shtatë vila dykatëshe, paguan si të ishin një familje e varfër me ndihmë ekonomike.

Por ama, nuk i futëm të tërë në një thes, kur i thonë fjalës dhe me vendim qeverie të vitit 2015, krijuam një mburojë, për ata që realisht ishin familje në nevojë dhe qysh prej vitit 2015, financojmë çdo vit nga buxheti i shtetit për ta, diferencën mes 7.7-ës e 9.5-ës; që do të thotë se ata e marrin prej 6 vjetësh nga qeveria këtë shumë, në fondin e tyre të pensionit apo ndihmës ekonomike.

 

Top Channel