Plani me tre pika i qeverisë për zgjidhjen e krizës energjetike/ Reagon Basha: Rama po fsheh vjedhjen e radhës përmes OSHEE-së

09/10/2021 17:58

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të shtunën e konsideroi krizën për të cilën flet kryeministri Edi Rama si një krizë për të fshehur vjedhjen.

Kreu i PD-së reagoi menjëherë pas prezantimit të planit të qeverisë për të përballuar krizën. Ai tha se qeveria po fsheh vjedhjen e radhës përmes OSHEE-së.

“”Krizë” për të fshehur vjedhjen: Thjesht po fsheh vjedhjen e radhës përmes OSHEE duke e justifikuar me “krizë”. Njësoj siç bëri me tenderat sekretë gjatë pandemisë. Njësoj siç bëri me tenderat e ushqimeve për familjet e goditura nga tërmeti”, shkruan Lulzim Basha në Twitter.

Në një konferencë për mediat, një ditë më parë, kryedemokrati e mohoi faktin se Shqipëria mund të ketë një krizë energjetike, duke deklaruar se ajo për çfarë flet kryeministri Rama nuk është asgjë tjetër veçse një krizë keqmenaxhimi dhe korrupsioni nga ana e qeverisë.

Partia Demokratike, përmes sekretarit të grupit parlamentar të saj, Arbi Agalliu deklaroi sot paradite se në tre tenderat e fundit të blerjes së energjisë elektrike, rezulton se energjia është blerë disa herë më shumë se sa çmimi i referuar në bursë.

Po ashtu, kryeministri Rama, prezantoi  këtë të shtune planin e qeverisë së tij me tre pika për përballimin e emergjencës energjetike në vend.

-Garantimin e furnizimit pa ndërprerje me energji elektrike për të gjithë.

-Mbrojtja e familjeve dhe biznesit të vogël nga rritja e çmimit të energjisë elektrike.

-Garantimin e fondit të nevojshëm likuid për ndërveprimin me tregun e energjisë elektrike, të instrumenteve të garancisë sovrane, shtetërore që do të jenë të ripërtëritshme në vlerën 100 mln Euro për kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike në fund të këtij viti dhe 100 mln Euro të tjera në fillim të vitit tjetër.

 

Top Channel