“Mos kërkoni rrugë të shkurtra që…”/ Mesazhi i kryeministrit Rama për familjet shqiptare

09/10/2021 17:18

Kryeministri Edi Rama teksa prezantoi planin qeverisës për mbrojtjen nga kriza energjitike, i ka adresuar edhe një mesazh familjeve shqiptare.

Ai u kërkoi që të kenë besim se do ja dalim nga kjo situatë, por asesi nuk duhet që të kërkojmë asnjëherë rrugë të shkurtra që nxjerrin gjithmonë gjatë.

Edi Rama: Të dashur bashkëqytetarë e bashkëqytetare, kur e pyetën dikur një kryeministër britanik se nga çfarë trembej, ai u përgjigj, trembem vetëm nga ngjarjet, duke pasur parasysh pikërisht faktin, se jeta është ajo që ndodh ndërkohë që mund të jesh duke bërë plane të tjera.

Këto vitet e fundit jeta për ne të gjithë, për pasojë edhe për qeverinë e për mua, ka qenë e përcaktuar shumë më tepër nga ngjarjet se sa nga planet tona; tërmeti, pandemia, e tani edhe kjo furtunë e rritjes së çmimit më delikat të jetesës së përditshme. E di mirë që të tëra këto lënë gjurmë në mendje e në shpirt, por dy gjëra dua t’ju them në fund:

E para, ndjehuni mirë që ia kemi dalë dhe kini besim që do t’ia dalim gjithnjë e më mirë. Dhe e dyta, mundohuni të mos e harroni se çfarë mbjellim ne sot, me qëndrimet e me vendimet tona, do të korrin fëmijët tanë nesër. E që nesër fëmijët e sotëm, të mos kenë aq pak fat sa ç’patën fëmijët e viteve 90, që kur u rritën korrën atë që u mboll mbrapsht në ato vite, duhet që ne të mos kërkojmë asnjëherë rrugë të shkurtra që nxjerrin gjithmonë gjatë.

Kujtojmë se Rama tha se tre pikat e planit të kundërveprimit të qeverisë ndaj krizës energjitike janë: Garantimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike për të gjithë – vijon një numër masash të detajuara, mbrojtjen e familjeve dhe biznesi i vogël nga rritja e çmimit të energjisë elektrike – vijon një numër masash të detajuara, garantimin e fondit të nevojshëm likuid për ndërveprimin me tregun e energjisë elektrike – vijon detajimi i instrumenteve të garancisë sovrane shtetërore, i cili do të jetë i ripërtërishëm, në vlerën 100 mln euro për kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike në fund të këtij viti dhe 100 mln euro në fillim të vitit tjetër, për të siguruar pikën një dhe dy.

Top Channel