Partia Demokratike të shtunën paradite ka reaguar për shpalljen e emergjencës energjetike nga kryeministri Edi Rama dhe për efektet që do pasojnë si rezultat i rritjes së çmimit të energjisë tek konsumatorët.
Në një deklaratë për mediat, sekretari i grupit parlamentar të PD-së, Arbi Agalliu tha se një krizë e tillë nuk ekziston dhe ajo është veçse reflektim i krizës së korrupsionit.
Agalliu, duke pasqyruar një tabelë e cila tregonte tre tenderat e fundit për blerjen e energjisë nga qeveria, sipas tij, lë të kuptojë se energjia elektrike është blerë me një çmim disa herë më të lartë se çmimi referues në bursë.
Sipas tij, në të tre tenderat e qeverisë, janë shpenzuar në total mbi 10 milionë euro nga buxheti i shtetit.
Në tenderin e parë, janë shpenzuar 16.7 milionë euro për të blerë energji elektrike, ndërkohë që në bursë mund të blihej fare mirë për 12 milionë euro. Pra, 4 milionë euro më tepër ka shpenzuar qeveria shqiptare.
Tenderi i dytë, janë shpenzuar rreth 10 milionë euro për të blerë energji elektrike, ndërkohë që në bursë mund të blihej për vetëm 7.4 milionë euro. Pra, janë shpenzuar 2.5 milionë euro më tepër.
Në tenderin e tretë, qeveria ka blerë energji elektrike me vlerë 12 milionë euro, ndërkohë që në bursë mund të blihej me vlerën 9.4 milionë euro. Pra, 3.4 milionë euro më tepër.
Deputeti demokrat thekson më tej se nuk është problem rritja e çmimit të energjisë elektrike në bursë, por është problem korrupsioni i kësaj qeverie.
“Problemi është aferat në këto tendera. Problemi është qindra patronazhistë të punësuar në sektorin e energjisë elektrike që marrin pagë nga buxheti i shtetit. Pra, fatkeqësia natyrore nuk është rritja e çmimit në bursë, por është kjo qeveri që përditë e më tepër, vjedh xhepat e shqiptarëve”, citohet nga deklarata e tij.
DEKLARATA E PLOTË
Prej kohësh po flitet për rritje të nivelit të çmimeve të produkteve që konsumojmë. Prej kohësh ju po ndjeni në xhepat tuaja pamundësinë financiare për të përballuar këto çmime. E sikur të mos mjaftonte kjo, para pak ditësh kryeministri njoftoi tragjedinë, apo fatkeqësinë e tretë natyrore, që është rritja e çmimit të energjisë elektrike si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike në bursë. Më lejoni t’iu bëj me dije se sa është çmimi i energjisë elektrike në bursë dhe se sa e blen qeveria shqiptare energjinë elektrike.
Gjatë ditëve të fundit janë zhvilluar tre tendera. Në tenderin e parë janë shpenzuar 16.7 milion euro për të blerë energji elektrike, ndërkohë që në bursë mund të blihej fare mirë për 12 milion euro. Pra, 4 milion euro më tepër ka shpenzuar qeveria shqiptare.
Tenderi i dytë, janë shpenzuar rreth 10 milion euro për të blerë energji elektrike, ndërkohë që në bursë mund të blihej për vetëm 7.4 milion euro. Pra, janë shpenzuar 2.5 milion euro më tepër.
Tenderi numër tre, qeveria ka blerë energji elektrike me vlerë 12 milion euro, ndërkohë që në bursë mund të blihej me vlerën 9.4 milion euro. Pra, 3.4 milion euro më tepër. Në total janë shpenzuar mbi 10 milion euro nga buxheti i shtetit.
Të nderuar qytetarë, nuk është problemi rritja e çmimit të energjisë elektrike në bursë. Problemi është korrupsioni i kësaj qeverie. Problemi është aferat në këto tendera. Problemi është qindra patronazhistë të punësuar në sektorin e energjisë elektrike që marrin pagë nga buxheti i shtetit. Pra, fatkeqësia natyrore nuk është rritja e çmimit në bursë, por është kjo qeveri që përditë e më tepër, vjedh xhepat e shqiptarëve.
Top Channel