Bylykbashi: Rama ofron pazar për vetingun/ PD reagon për Top Channel: Nuk kemi  diskutim as me PS-në, as me partnerët

09/10/2021 18:03

Ish bashkëkryetari demokrat i reformës zgjedhore Oerd Bylykbashi foli sot për një pazar që kryeministri Edi Rama po i ofron Partisë Demokratike për organet e Vettingut. Në një shkrim në “Facebook”, deputeti demokrat shkruan se Edi  Rama i ka ofruar Lulzim Bashës shtimin e disa bashkive në hartën territoriale në këmbim të zgjatjes së afateve të dy organeve të vettingut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Komisoneri Publik.

Por, Partia Demokratike i cilësoi pretendimet e deputetit Bylykbashi si të pavërteta. Në një reagim për gazetaren e Top Channel, Elda Menga, burime zyrtare nga selia blu mohojnë ekzistencën e një diskutimi jo vetëm me Partinë Socialiste, por edhe partnerët ndërkombëtarë.

Përsa i përket zgjatjes së afatit të organeve të vettingut, Partia Demokratike nuk ka hyrë në asnjë diskutim apo vlerësim, as me Partinë Socialiste dhe as me partnerët, sepse nuk është në prioritetet tona. Nëse zoti Bylykbashi është kontaktuar nga Edi Rama për këtë çështje dhe i është ofruar ndonjë zgjidhje, jo vetëm duhet ta refuzojë, por duhet të informojë edhe Kryetarin e Grupit Parlamentar për këtë”, sqarojnë burime zyrtare nga PD për Top Channel.

Jo vetëm reforma Territoriale, por dhe ajo Zgjedhore janë prioritet i Partisë Demokratike në këtë legjislaturë të re. Në reagimin për Top Channel PD  nënvizon vijat e kuqe nga ku duhet të nisë reforma e re zgjedhore, në mënyrë që siç thotë ajo të mos përsëriten gabimet e tryezës të cilën zoti Bylykbashi e udhëhoqi në emër të Partisë Demokratike në të shkuarën.

“Po ashtu, reforma zgjedhore duhet të nisë me garantimin e votës së lirë dhe zgjedhjeve të lira, jo siç gabimisht u orientua më parë, vetëm tek kërkesa e panegociueshme e Edi Ramës për të marrë nën kontroll komisionet zgjedhore me punonjës të administratës publike dhe që, fatkeqësisht, iu prezantua lidershipit të partisë si kërkesë e panegociueshme e partnerëve ndërkombëtarë” , thuhet në reagimin zyrtar të PD-së për Top Channel.

Prioritetet e socialistëve janë krejt tjetër, ato presin bashkëpunimin e demokratëve për zgjatjen e afateve të Vettingut me dy vite, deri në 2024.

Reagimi i plotë i PD për Top Channel: 

Reforma territoriale është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë për të marrë shërbimet që i mungojnë prej 6 vitesh, që kur Edi Rama njëanshmërisht miratoi reformën që në thelb kishte vetëm avantazhin e PS në zgjedhje. Po ashtu, reforma zgjedhore duhet të nisë me garantimin e votës së lirë dhe zgjedhjeve të lira, jo siç gabimisht u orientua më parë, vetëm tek kërkesa e panegociueshme e Edi Ramës për të marrë nën kontroll komisionet zgjedhore me punonjës të administratës publike dhe që, fatkeqësisht, iu prezantua lidershipit të partisë si kërkesë e panegociueshme e partnerëve ndërkombëtarë. 

Këto dy reforma janë i vetmi prioritet i Partisë Demokratike. Kjo është shpallur publikisht dhe është miratuar edhe në mbledhjen e Grupit Parlamentar. 

Përsa i përket zgjatjes së afatit të organeve të vettingut, Partia Demokratike nuk ka hyrë në asnjë diskutim apo vlerësim, as me Partinë Socialiste dhe as me partnerët, sepse nuk është në prioritetet tona. Nëse zoti Bylykbashi është kontaktuar nga Edi Rama për këtë çështje dhe i është ofruar ndonjë zgjidhje, jo vetëm duhet ta refuzojë, por duhet të informojë edhe Kryetarin e Grupit Parlamentar për këtë.

Reagimi i mëhershëm i Bylykbashit në facebook: 

“Më zgjat afatin e antarëve të vetingut, të të shtoj disa bashki ne hartë.”
Këtë pazar i ofron Rama PD-së. Si tregti kuajsh. Më jep një kalë, të të jap një mushkë. Anglezët e quajnë “horse trading” apo tregti kuajsh. Kjo është kundër interesave parësorë dhe themelore të opozitës.
Reforma më kryesore për opozitën duhet të jetë ndryshimi i Kushtetutës për të vendosur një sistem të ri zgjedhor, sepse ky sistem që miratoi Rama pa konsensusin e opozitës më 30 korrik 2020 është i padrejtë, shkel parimet kushtetuese dhe është toksik për demokracinë.
Bashkë me të, duhet rishikuar ndarja territoriale e bashkive. Demokracia lokale po asfiksohet nga reforma e dështuar e 2014, e bërë keq me qëllim për të fituar zgjedhjet ne tavolinë. Pjesmarrja në zgjedhjet bashkiake të 2019 ku opozita mund të fitonte gjysmën e bashkive, do të rekuperonte mospjesmarjen e opozitës në reformën territoriale. Por ky shans u humb kur u vendos të mos hyej në zgjedhje.
Gjithashtu duhet bërë reformë për të bllokuar, ndalur dhe ndëshkuar ndërhyrjen e shtetit në zgjedhje siç ndodhi më 25 prill 2021. Ky është rreziku më i madh që kanë zgjedhjet, shumë më i madh se bandat, sepse ndërhyrja e një shteti të politizuar në zgjedhje është sistematike, masive dhe kapilare.
Më pas mund të ndreqim dështimet e “sukseshme” të reformës në drejtësi. Sigurisht, dështimet nuk mund të lihen pa ndrequr sepse vuajnë shqiptarët që nuk po marrin më asnjë lloj drejtësie.
Por vota e lirë dhe e drejtë qëndron më lartë se vettingu sepse aty qëndron sovraniteti i popullit.
Sigurisht të gjitha këto duhen dhe mund të bëhen njëkohësisht që mazhoranca të mos luajë me “teorinë e sallamit” duke marrë nga një fetë e nga një fetë. Do të ishte naivitet i pafalshëm. Prandaj 94 votat për ndryshimin e Kushtetutës janë e vetmja garanci për opozitën. Nuk mund ta lëshojë. PD mund të japë votat e saj vetëm nëse sigurohen reformat e mësipërme që garantojnë votën e shqiptarëve. Përndryshe do të përsëriten reforma kushtetuese në drejtësi e 22 korrikut 2016 dhe marveshja e 5 qershorit 2020, kur opozita i dha votat paraprakisht në mirëbesim, shpresoi në garancitë që iu dhanë e më pas PS theu çdo konsensus.
Pazaret që ofron PS nuk kanë asgjë në interes të Opozitës. Nuk mund të qahemi nesër sërish. Sepse kur vret veten, nuk ka kush të merr hakun.

Top Channel