Ish bashkëkryetari demokrat i reformës zgjedhore Oerd Bylykbashi foli sot për një pazar që kryeministri Edi Rama po i ofron Partisë Demokratike për organet e Vettingut. Në një shkrim në “Facebook”, deputeti demokrat shkruan se Edi Rama i ka ofruar Lulzim Bashës shtimin e disa bashkive në hartën territoriale në këmbim të zgjatjes së afateve të dy organeve të vettingut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Komisoneri Publik.
Por, Partia Demokratike i cilësoi pretendimet e deputetit Bylykbashi si të pavërteta. Në një reagim për gazetaren e Top Channel, Elda Menga, burime zyrtare nga selia blu mohojnë ekzistencën e një diskutimi jo vetëm me Partinë Socialiste, por edhe partnerët ndërkombëtarë.
“Përsa i përket zgjatjes së afatit të organeve të vettingut, Partia Demokratike nuk ka hyrë në asnjë diskutim apo vlerësim, as me Partinë Socialiste dhe as me partnerët, sepse nuk është në prioritetet tona. Nëse zoti Bylykbashi është kontaktuar nga Edi Rama për këtë çështje dhe i është ofruar ndonjë zgjidhje, jo vetëm duhet ta refuzojë, por duhet të informojë edhe Kryetarin e Grupit Parlamentar për këtë”, sqarojnë burime zyrtare nga PD për Top Channel.
Jo vetëm reforma Territoriale, por dhe ajo Zgjedhore janë prioritet i Partisë Demokratike në këtë legjislaturë të re. Në reagimin për Top Channel PD nënvizon vijat e kuqe nga ku duhet të nisë reforma e re zgjedhore, në mënyrë që siç thotë ajo të mos përsëriten gabimet e tryezës të cilën zoti Bylykbashi e udhëhoqi në emër të Partisë Demokratike në të shkuarën.
“Po ashtu, reforma zgjedhore duhet të nisë me garantimin e votës së lirë dhe zgjedhjeve të lira, jo siç gabimisht u orientua më parë, vetëm tek kërkesa e panegociueshme e Edi Ramës për të marrë nën kontroll komisionet zgjedhore me punonjës të administratës publike dhe që, fatkeqësisht, iu prezantua lidershipit të partisë si kërkesë e panegociueshme e partnerëve ndërkombëtarë” , thuhet në reagimin zyrtar të PD-së për Top Channel.
Prioritetet e socialistëve janë krejt tjetër, ato presin bashkëpunimin e demokratëve për zgjatjen e afateve të Vettingut me dy vite, deri në 2024.
Reagimi i plotë i PD për Top Channel:
Reforma territoriale është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë për të marrë shërbimet që i mungojnë prej 6 vitesh, që kur Edi Rama njëanshmërisht miratoi reformën që në thelb kishte vetëm avantazhin e PS në zgjedhje. Po ashtu, reforma zgjedhore duhet të nisë me garantimin e votës së lirë dhe zgjedhjeve të lira, jo siç gabimisht u orientua më parë, vetëm tek kërkesa e panegociueshme e Edi Ramës për të marrë nën kontroll komisionet zgjedhore me punonjës të administratës publike dhe që, fatkeqësisht, iu prezantua lidershipit të partisë si kërkesë e panegociueshme e partnerëve ndërkombëtarë.
Këto dy reforma janë i vetmi prioritet i Partisë Demokratike. Kjo është shpallur publikisht dhe është miratuar edhe në mbledhjen e Grupit Parlamentar.
Përsa i përket zgjatjes së afatit të organeve të vettingut, Partia Demokratike nuk ka hyrë në asnjë diskutim apo vlerësim, as me Partinë Socialiste dhe as me partnerët, sepse nuk është në prioritetet tona. Nëse zoti Bylykbashi është kontaktuar nga Edi Rama për këtë çështje dhe i është ofruar ndonjë zgjidhje, jo vetëm duhet ta refuzojë, por duhet të informojë edhe Kryetarin e Grupit Parlamentar për këtë.
Reagimi i mëhershëm i Bylykbashit në facebook:
Top Channel