Një 31-vjeçar në Kuçovë është arrestuar nga policia pasi ka hyrë në banesën e një vajze 20 vjeçe, duke e kanosur dhe shtrënguar në mënyrë që ajo të pranonte propozimin për martesë.
“Nga specialistët e Seksionit për Krimet në Stacionin e Policisë Dimal u bë arrestimi i shtetasit B.C., 31 vjeç, pasi ka hyrë pa leje në banesën e një shtetase 20-vjeçare duke e kanosur dhe shtrënguar në mënyrë që vajza të pranonte propozimin për martesë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit njofton gjithashtu se një 52-vjeçar është arrestuar nga policia në Berat, pasi u kap me një kamion të ngarkuar me pllaka guri dekorative pa dokumentacionin përkatës, të cilët dyshohet të jenë nxjerrë në Malin e Tomorit.
“Në vijim të kontrollit të ushtruar për evidentimin dhe parandalimin e krimeve mjedisore, shërbimet e Policisë kanë arrestuar shtetasin Sh.Q., 52 vjeç, banues në Poliçan, pasi u konstatua, me një mjet tip “Kamion”, të ngarkuar me pllaka guri dekorative pa dokumentacionin përkatës, të cilët dyshohet të jenë nxjerrë në Malin e Tomorit”, njofton policia.
Ndërsa një 55-vjeçar u vu në pranga sepse u kap duke transportuar lëndë drusore pa leje përkatëse.
“Gjithashtu specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik proceduan penalisht për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, shtetasin S.D., 55 vjeç, banues në fshatin Vërtop, Poliçan, pasi u konstatua nga shërbimet e policisë duke transportuar me mjet, lëndë drusore, pa leje përkatëse”, njofton policia.
Policia e Shtetit do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.
Top Channel