SPAK i kërkoi Interpolit sot që të shpallë në kërkim ndërkombëtar ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, i dënuar me 2 vite burg.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha tha se pas pak orësh në faqen e Interpol do të shfaqet lajmërimi për Llallën, identiteti dhe të dhënat e tij.

“Në ditën e 16-të, SPAK i dorëzoi kërkesën Interpol në orën 14:00 për ta shpallur në kërkim ndërkombëtar Adriatik Llallën. Edhe pse nuk jepet asnjë detaj, sipas sistemit tims burime për Top Channel pranë Interpolit thanë se emri i tij i është dorëzuar zyrës së Interpol në Lion të Francës. Pas pak orësh në faqen Interpol do të shfaqet jo vetëm identiteti por edhe akuza për të cilën u dënua, mosha dhe detaje të tjera për Llallën”, tha Hoxha.

Pasi policia nuk e gjeti në banesë, ish-zyrtari i lartë i drejtësisë shqiptare po kërkohej nga policitë lokale edhe pse është e ditur se ai ndodhet jashtë vendit.

Asnjë institucion nuk di të përgjigjet se ku gjendet ish-prokurori i përgjithshëm, ndonëse zëra të pakonfirmuar tregojnë se po kurohet në Zvicër e Hungari.

Gjykata e Posaçme e Apelit e shpalli fajtor për fshehje të pasurisë për tre raste dhe e dënoi atë me dy vite burgim më 22 shtator të këtij viti.

Ai është i vetmi zyrtar i lartë i drejtësisë që është dënuar në vendin tonë. Por, Adriatik Llalla nuk ishte i pranishëm mbasi sipas avokatit vuan nga probleme shëndetësore dhe po kurohet.

Ish prokurorit të përgjithshëm veç vendimit të fajësisë i ndalohet ushtrimi i funksioneve publike për pesë vitet e ardhshme, ndërsa i janë konfiskuar disa pasuri mes tyre toka dhe një apartament.

Kujtojmë se Llalla ka qenë prokuror i përgjithshëm deri në fund të vitit 2017.

Top Channel