Emrat/ Shisnin ilaçe kontrabandë gjatë periudhës së Covid-19, arrestohen 6 persona. Policia jep detajet e hetimit 10 mujor

08/10/2021 20:26

Gjashtë persona kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës pasi akuzohet se shisnin medikamente kontrabandë gjatë periudhës së Covid-19.

Hetimi ndaj tyre zgjati 10 muaj dhe u arrestuan personat e identifikuar si: Blerim Bitri, 40 vjeç, administrator i një farmacie; Florian Marku, 39 vjeç, administrator i një farmacie; Margarita Xhaxhiu, 64 vjeçe, e dyshuar si dërguesja e mallrave kontrabandë; Jani Papuli, 66 vjeç, i punësuar nga Margarita Xhaxhiu; Florian Lila, 40 vjeç, administrator i një farmacie; Bashkim Osmani, 56 vjeç, administrator i një depoje farmaceutike.

Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë periudhës së Covid-19, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shisnin medikamente të dyshuara kontrabandë. Në kuadër të operacionit të koduar “Përfitimi”, i cili u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u sekuestruan materiale barna të ndryshme, një automjet dhe 6 aparate celular.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe i pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për shëndetin” dhe “Tregtim dhe transportim i mallrave kontrabandë”.

Top Channel