“Regjimi ka emrin banditokraci”, Berisha sulmon Ramën nga Elbasani: Njoftoi rritjen ekonomike prej 18%, por pagat s’do të rriten

08/10/2021 19:05

Ish-kryeministri Sali Berisha të premten pasdite është ndalur në qytetin e Elbasanit, për të vazhduar turin e takimeve me simpatizantët e tij demokratë.

Nga “Foltorja”, Berisha hodhi kritika të ashpëra në lidhje me qeverinë Rama, duke e konsideruar një regjim të instaluar nga “banditokracia” dhe “kakistokracia”.

“Ky regjim që ështe instaluar në Shqipëri ka vetëm një emër, banditokraci, ose kakistokraci. Edi Rama dhe regjimi i tij e ka katandisur Shqipërinë dhe shqiptarët në delen e zezë të Balkanit dhe Europës, nga një tokë e bekuar në një tokë të pashpresë, nga ku të rinjtë ikin dhe vetëm ikin. Isha në Gjirokastër para dy ditësh, në një mjedis të zjarrtë të demokratëve, por dua t’ju them me sinqeritet, ai entuziazëm, ajo energji ishte frymëzuese, kurse shtëtitja që bëra në rrugët e qytetit ishte tmerrësisht dëshpëruese”, deklaroi Berisha.

Ish-kryeministri shqiptar u shpreh se sot vendi është shndërruar në një tokë të pashpresë, ndërsa qytetarët nuk shohin rrugë tjetër përveç asaj të braktisjes së tij.

Ai tha se biznesi shqiptar është në ditët e tij më të vështira, kurse qytetarët kanë rroga edhe më të vogla se Kosova. Ish-kryeministri, më tej theksoi se qeveria ka abuzuar me rreth 5 miliardë euro, të cilat kanë përfunduar në xhepat e qeveritarëve dhe klientëve pranë pushtetit.

“Nga vendi me të ardhura për frymë të ulëta Shqipëria kaloi në grupin e vendeve me të ardhura për frymtë të mesme të larta. Sot rrogat janë më të ulta se në vitin 2013. Nëse ne në 2013 kishim rrogat më të larta se Rumania dhe Bullgaria, ne sot kemi rrogat më të ulta se Kosova. Jemi vendi, pas 8 vitesh, ku janë investuar mbi 5 miliardë euro. Çfarë është ndërtuar? Përfunduar gjithsej 34 km autostradë të lëna në mes në vitin 2013. Ku shkuan këto? Në xhepat e qeveritarëve dhe oligarkëve të qeverisë, të cilët i ndajnë bashkë paratë”, tha Berisha.

Ish-kryeministri tha se qeveria shqiptare sapo njoftoi për një rritje ekonomke prej 18 për qind, por doli më pas Rama dhe deklaroi se kjo rritje nuk përkthehet në rritje pagash.

Ku shkojnë këto të ardhura, te klanet e qeverisë, të gjitha shkojnë te klientela e qeverisë, e cila dikton ligje për të marrë veprat publike, për të marrë shërbimet publike, për të fituar tenderat dhe në këtë mënyrë për qytetarët mbeten rrugët e botës, varfëria dhe mjerimi“, u shpreh Berisha.

Top Channel