Kosova ka vendosur masa mbrojtëse antidamping ndaj dy llojeve të produkteve të prodhuara në shtetin e Serbisë.

Bëhet fjalë për 0.3 centë për kilogram për importin e koncentratit të kafshëve dhe shpezëve dhe për 0.3 centë për blloqet standarde me origjinë nga Serbia. Kompanitë eksportuese të koncentratit janë “Jabuka”, “Gebi”, “Sto Posto” dhe “Beçejka”, ndërsa kompania prodhuese e blloqeve është “Mladost”.

Masa mbrojtëse e përkohshme u mor pas kërkesës së prodhuesve vendas. Ministrja e Industrisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, sqaroi se vendimet janë marrë pas hetimeve të bëra në treg, të cilat vertetuan se këto mallra në tregun e Kosovës shiten me çmim më të ulët sesa në tregun e Serbisë,një konkurence e pandershme kjo ndaj prodhimit të brendshëm.

“Të dyja vendimet janë marrë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Masat Anti-damping, si dhe detyrimet tona ndërkombëtare”, tha Hajdari.

Damping nënkupton importin e mallrave në Kosovë me një çmim më të ulët të eksportit, sesa çmimi i krahasueshëm për produktin e ngjashëm në tregun e vendit eksportues.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA