“Kishin kthyer shtëpinë në një laborator droge”/ Dy shqiptarë bien në prangat e policisë italiane

08/10/2021 11:24

Dy shqiptarë janë arrestuar nga policia italiane pasi janë kapur me drogë.

Mediat italiane raportojnë se në pranga ranë shtetasit me inicialet B.L., 45 vjeç dhe J.S., 27 vjeç. Ata akuzohen për mbajtje të një sasie të konsiderueshme droge me qëllim tregtimin e saj.

Ishin efektivët e Komisariatit Garibaldi në Venezia, të cilët pas një hetimi disa javor, mësuan se një person mbante një sasi droge në apartamentin e tij.

Ata arritën të pikasnin 45-vjeçarin brenda makinës së tij, ndërsa po i dorëzonte një personi (27 vjeç) një zarf në ngjyrë të kuqe. Pas një kontrolli të befasishëm, policët më pas arritën të zbulonin dy pako me heroinë dhe një sasi prej 2 mijë eurosh që ishin fshehur në çantën e tij të shpinës.

Ndërsa pas kontrollit në banesën e tij në rrugën Ruçellai, agjentët gjetën dhe sekuestruan 19 kg kokainë, 20 kg heroinë, 160 kg lëndë prerëse, rreth 5,500 material për përpunimin dhe paketimin e drogës. Gjithashtu u zbulua edhe një presë e madhe metalike, tre furra me mikrovalë, dy përzierës të mëdhenj, kimikate të lëngshme dhe dy maska me gaz.

Droga e sekuestruar do të kishte sjellë rreth 3 milionë euro në treg.

Top Channel