Berisha: Partia u rrudh në mënyrën më të pamerituar. Ja kërkesa që ish kryeministri u bën demokratëve

08/10/2021 19:11

Ish-kryeministri Sali Berisha nga foltorja e Elbasanit tha se synimi i mbajtjes së kësaj foltoreje është rivendosja e sovranitetit, ndërkaq u bën thirrje demokratëve të firmosin për mbledhjen e Kuvendit të Partisë Demokratike.

Në ‘foltoret’ që ai ka nisur të zhvillojë në qytetet e vendit, kërkon mbështetjet e demokratëve në ‘betejën’ e tij me kryedemokratin Lulzim Basha, i cili e përjashtoi nga grupi parlamentar.

Ish kryeministri ka një kërkesë për demokratët: “Kam një kërkesë për çdo delegat, të firmosni për mbledhjen e Kuvendit. Mund ta quani edhe Kuvendin e rithemelimit të PD-së. Ata që përzunë votën e lirë, i bënë dëm të jashtëzakonshëm”.

Berisha: Demokratët shqiptarë jemi para në misioni të ri: shpëtimi i pluralizmit. Nuk ekziston në Shqipëri nëse nuk ngrihemi fuqishëm si parti opozitare. Çfarë synojmë ne me këto foltore? Ne synojmë të rivendosim sovranitetin tonë! Të votojmë për idealet që kemi, të lirë dhe jo sepse thotë kryetari. Sovraniteti dhe dinjiteti janë të pandashëm për njeriun, në këtë formë je partner i denjë për çdo forcë politike të lirë në botë. Është jetike për të qenë një forcë e vërtetë dhe për të ardh në pushtet. Shikoni çfarë ndodh këto ditë. E gjithë propaganda e qeverisë është lëshuar në mbrojtje të pengut të saj. Të gjitha tezet janë se këta demokratët s’duhet të votojnë.

Jemi këtu për të ringritur edhe një herë në këmbë PD ashtu siç e themeluam. Ku e gjejmë ne forcën për një PD të fuqishme të bashkuar? Te vota e lirë! Cilido që është në këtë sallë dhe jashtë saj ju garantoj se kurrë para vitit 2013 probleme në votimin e brendshëm ska pasur kurrë, sepse bëhej votimi i hapur.Cilido që është në këtë sallë iu garantoj se kurrë nuk kishin probleme në votimin e brendshëm në PD. Zero ka patur sepse bëhej një votim i hapur. Sepse respektoheshin ato që shpalleshin. Kryeministrin e parë e zgjodhëm me dy kandidatura. Me votë të fshehtë. Tani çdo rival i kryetarit përjashtohet nga Kryesia dhe anëtarësia. Partia u rrudh në mënyrën më të pamerituar. Kam një kërkesë për çdo delegat, të firmosni për mbledhjen e Kuvendit. Mund ta quani edhe Kuvendin e rithemelimit të PD-së. Ata që përzunë votën e lirë, i bënë dëm të jashtëzakonshëm.

Kryetari do japë dorëheqjen po humbi votimet e përgjithshme. Nëse humb zgjedhjet lokale ai do të rizgjidhet pasi të ketë dhënë dorëheqjen dhe të zgjidhet nga 80% e votave. Do të vendosë anëtarësia sepse mban përgjegjësi për të mbështetur këtë lokomotivë në zhvillimin e vendit. Kryetari nuk mund të marrë vendime duke shkelur statutin.

Ne nuk duam të largojmë njerëz ne duam të bashkohemi me të gjithë demokratët që kanë vendosur nga një tullë që nga viti 1991 deri më sot.

Top Channel