Mëngjesin e sotëm u mbajt ceremonia e prezantimit të Drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, i cili zëvendëson Ardi Veliu.

Në fjalën e tij Nano theksoi se synohet rritja e aftësive profesionale dhe operacionale. Nano në ceremoninë e betimit ka prezantuar prioritet e punës së tij në krye të këtij institucioni të rëndësishëm që bazohet në 4 shtylla kryesore.

Ai është shprehur se në këto dy dekada në radhët e Policisë së Shtetit, nga pozicioni më i ulët e deri në detyra të larta, ka kuptuar se ky institucion është një pjesë kryesore e jetës së tij që kërkon angazhim dhe përkushtim të lartë në çdo detyrë.

Nano ka kërkuar që qytetarët ta konsiderojnë policinë një partner duke kërkuar bashkëpunim.

Kreu i ri i Policisë së Shtetit theksoi se synohet një polici më e trajnuar, me kapacitete të shtuara në fushën e digjitalizimit, mirë menaxhim të çdo burimi njerëzor bazuar në meritokraci, të cilat janë parakushtet për një hap cilësor.

I nderuar zoti Ministër i Brendshëm, Të nderuar drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, Të nderuar përfaqësues të OSBE-së, ICITAP-it dhe PAMECA-s

Të nderuar kolegë e qytetarë, Besimi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, përtej privilegjit, më ngarkon me përgjegjësinë për të qenë në lartësinë e detyrës në shërbim të qytetarëve dhe në nderim me përulje ndaj mundit, sakrificës dhe gjakut të derdhur nga çdo dëshmor i përjetësuar në yll në memorialin e kujtesës së Policisë së Shtetit. Ndaj gjej rastin, së pari t’u shpreh një falënderim të posaçëm, Ministrit të Brendshëm dhe Kryeministrit të Shqipërisë, për besimin e dhënë në këtë detyrë të re, si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Profesioni im nuk ishte zgjedhje karriere, por pasion i frymëzuar nga babai im, ish-oficer policie. Në këto dy dekada në radhët e Policisë së Shtetit, nga pozicioni më i ulët e deri në detyra të larta, kam kuptuar se ky institucion është një pjesë kryesore e jetës sime, që kërkon angazhim dhe përkushtim të lartë në çdo detyrë. Sfidat për policinë janë të shumëfishta, puna dhe rezultatet pozitive të arritura nga paraardhësi im z. Ardi Veliu kanë nevojë të çohen përpara. Qytetarët presin nga Policia e Shtetit standarde të tjera reagimi dhe sjelljeje në zgjidhjen e problemeve të tyre. Dhe ne do të bëjmë maksimumin për t’ia arritur. Por në të njëjtën kohë, kërkoj prej tyre ta konsiderojnë Organizatën tonë si një partner. Roli i tyre është i pazëvendësueshëm në suksesin e punës tonë. Ndaj, do të jem gjithnjë inkurajues që bashkëpunimi qytetar-polici, sa të vijë e të forcohet edhe më shumë. Gjithashtu, prioriteti im do të jetë intensifikimi i bashkëpunimit me të gjitha agjencitë ligjzbatuese në vend, partnerët ndërkombëtarë dhe misionet që asistojnë Policinë shqiptare.

Ne synojmë një polici më të trajnuar, me kapacitete të shtuara në fushën e dixhitalizimit, mirëmenaxhim të çdo burimi njerëzor bazuar në meritokraci, të cilat janë parakushtet për një hap cilësor, çka do ta rendiste shpejt Policinë shqiptare, cilësisht, krah policive evropiane. Unë ju garantoj se me angazhimin tim maksimal do të vijoj më tej në çuarjen përpara të reformave në Policinë e Shtetit, duke synuar rritjen e aftësive profesionale dhe operacionale, në përmbushje të misionit kushtetues që ajo ka. Nuk dua të ndalem më gjatë në këtë fjalë përshëndetëse, por në ditën e parë të detyrës time si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, dua të shfrytëzoj rastin e t’i uroj çdo kolegu suksese në përmbushjen e angazhimeve që burojnë nga respektimi i ligjit. Të gjithë ne jemi betuar përpara flamurit ditën që kemi marrë detyrën, ndaj kërkoj angazhimin tuaj maksimal në realizimin e detyrave funksionale, sipas betimit, që të gjithë ne kemi bërë! Edhe njëherë, ju faleminderit për besimin e dhënë!”, tha Nano.

Ndërsa Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi gjatë ceremonisë së prezantimit të kreut të ri të Policisë së Shtetit, Gledis Nano nuk i kurseu vlerësimet për Ardi Veliun. Çuçi u shpreh se Veliu e çoi Policinë e Shtetit në rezultatet më të mira që ka patur prej 30 vitesh.

“Historia nuk fillon me një drejtor dhe mbaron me një drejtor, por drejtor Ardi Veliu gjatë këtyre 4 viteve, pa diskutim që e ka çuar Policinë e Shtetit në nivelet më të mira që ajo ka pasur gjatë 30 viteve të tranzicionit. Duhet të pranojmë që Policia e Shtetit është një organizatë me dinjitet dhe tërësisht e barabartë me partnerët tanë perëndimorë, ka sot besueshmërinë më të lartë në 30 vitet. E gjetëm me 35% nivelin e besueshmërinë dhe sot që Ardi lë stafetën, nivelin e besueshmërisë e kemi 56%. Mos fillojmë me statistikta në luftën kundër kultivimit të kanabisit, trafiqeve të ndryshme, vrasjeve. Policia është sot superiore ndaj vetes së vet që ka qenë para disa vitesh dhe një nga kontribuuesit e këtyre rezultateve është edhe drejtor Ardi Veliu. Ardi ka shumë ende për t’i dhënë Shqipërisë dhe besoj se edhe në detyra të tjera ku do të vazhdojë rrugëtimin e tij, besoj se do t’i kryej me nder dhe përkushtim. Sot kalojmë stafetën dhe fillojmë një rrugëtim të ri me një oficer të ri dhe dua ta them që Gledis Nano do ta ketë shumë të vështirë sfidën, edhe për shkak të niveleve ku ka arritur performanca e Policisë së Shtetit”, tha Çuçi.

Ardi Veliu ka mbajtur fjalimin e tij të fundit si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në ceremoninë e marrjes së detyrës nga Gledis Nano.

“Në 35 vite të mia nën uniformë, duke filluar nga 14 vjeç jam brumosur dhe edukuar që t’i shërbej vendit tim dhe qytetarëve të vendit tim, çdo ditë të karrierës sime dhe të detyrës jam mbështetur në 3 shtylla kryesore që kanë qenë në vlerësimin tim, ndershmëria, përkushtimi dhe humanizmi. Sot Policia e Shtetit është më mirë se dje. Së bashku me ju përballuam sfidat e tërmetit që nga momentet e fundit, ishim të parët që dhamë ndihmën e parë dhe kryem këtë mision më së miri, kam një mirënjohje për të gjithë juve sepse së bashku menaxhuam qindra tubime që në momente të caktuara u shoqëruan me lëndime të 67 punonjësve të policisë, jeni ju kolegë që me mua arritëm të menaxhojmë periudhën e pandemisë, jam krenar që për punën e bërë.

Falënderoj kryeministrin e vendit tim, Edi Rama që nga dita e parë deri te e fundit më ka mbështutur që të bëjë këtë detyrë, 3 ish ministrat e brendshëm që arritëm ta sjellim Policinë në  këto kushte ku jemi,  Policia nuk fillon e as mbaron me mua, ju falënderoj për ndihmën që më keni dhënë, falënderoj bashkëshorten dhe 2 fëmijët që ma kanë bërë këtë detyrë më të lehtë, ju uroj sukses dhe drejtor Gledisit shumë fat”, tha Veliu.

FOTO GALERI
1/27

Top Channel