Gledis Nano në krye të Policisë së Shtetit, ministri: Sot që Ardi lë stafetën nivelin e besueshmërisë e kemi 56%

07/10/2021 10:10

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi gjatë ceremonisë së prezantimit të kreut të ri të Policisë së Shtetit, Gledis Nano nuk i kurseu vlerësimet për Ardi Veliun.

Çuçi u shpreh se Veliu e çoi Policinë e Shtetit në rezultatet më të mira që ka patur prej 30 vitesh.

“Historia nuk fillon me një drejtor dhe mbaron me një drejtor, por drejtor Ardi Veliu gjatë këtyre 4 viteve, pa diskutim që e ka çuar Policinë e Shtetit në nivelet më të mira që ajo ka pasur gjatë 30 viteve të tranzicionit.

Duhet të pranojmë që Policia e Shtetit është një organizatë me dinjitet dhe tërësisht e barabartë me partnerët tanë perëndimorë, ka sot besueshmërinë më të lartë në 30 vitet. E gjetëm me 35% nivelin e besueshmërinë dhe sot që Ardi lë stafetën, nivelin e besueshmërisë e kemi 56%.

Mos fillojmë me statistikta në luftën kundër kultivimit të kanabisit, trafiqeve të ndryshme, vrasjeve. Policia është sot superiore ndaj vetes së vet që ka qenë para disa vitesh dhe një nga kontribuuesit e këtyre rezultateve është edhe drejtor Ardi Veliu. Ardi ka shumë ende për t’i dhënë Shqipërisë dhe besoj se edhe në detyra të tjera ku do të vazhdojë rrugëtimin e tij, besoj se do t’i kryej me nder dhe përkushtim. Sot kalojmë stafetën dhe fillojmë një rrugëtim të ri me një oficer të ri dhe dua ta them që Gledis Nano do ta ketë shumë të vështirë sfidën, edhe për shkak të niveleve ku ka arritur performanca e Policisë së Shtetit”, tha Çuçi.

Fjala e plotë e Ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi:

Mirëdita të gjithëve,
Sot është një ditë e veçantë, që ndoshta janë si gurë kilometrikë për punën e një prej organizatave më të vjetra të shteteve. Dhe siç e tha drejtor Ardi që historia nuk fillon me një drejtor dhe mbaron me një drejtor, por unë me bindje të plotë them që drejtor Ardi Veliu gjatë 4 viteve të mandatit të tij pa diskutim që e ka çuar Policinë e Shtetit në nivelet më të mira që ajo ka pasur në 30 vitet e tranzicionit.

Besoj këtu ndajmë të njëjtin mendim të gjithë bashkë. Gjithkush mund të ketë rezerva, por përpara fakteve kokëforte të gjithë duhet të pranojmë që Policia e Shtetit është një organizatë me dinjitet dhe tërësisht e barabartë me partnerët tanë perëndimorë.

Policia e Shtetit ka sot besueshmërinë më të lartë që ka pasur në 30 vitet e tranzicionit. Ju kujtoj vetëm që në 2013, nga një sondazh i bërë me të njëjtën metodologji, nga e njëjta organizatë, e financuar nga i njëjti shtet perëndimor, e gjetëm me 35 % nivelin e besueshmërisë. Dhe sot që Ardi lë stafetën, atë e kemi në 65 % nivelin e besueshmërisë.

E për të mos folur pastaj për statistika që kanë të bëjnë me krimet, me vrasjet, si një nga krimet më të rënda, me statistikat që kanë të bëjnë në luftën kundër kultivimit të kanabisit apo trafiqeve të ndryshme ,e kështu me radhë në çdo sektor, në çdo statistikë,

Policia e Shtetit sot është superiore ndaj vetes së vetë që ka qenë përpara disa vitesh. Padyshim një nga kontribuesit e këtyre rezultateve është edhe drejtor Ardi Veliu, të cilin unë e përgëzoj për bashkëpunimin të paktën për eksperiencën time personale si ministër. Një bashkëpunim shumë korrekt, shumë profesional, për përkushtimin që nuk i ka munguar në asnjë sekondë gjatë gjithë këtij rrugëtimi që kemi bërë së bashku dhe për përgjegjshmërinë e lartë në detyrë.

Jam i bindur që Ardi ka shumë ende për t’i dhënë Shqipërisë dhe besoj që edhe në detyra të tjera, po kaq të rëndësishme ku do vazhdojë rrugëtimin e tij për t’i shërbyer publikut, edhe atdheut, besoj se do t’i kryejë me nder dhe përkushtim, siç kreu edhe detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm.

Por sot kalojmë stafetën dhe fillojmë një rrugëtim të ri me një oficer të ri të karrierës gjithashtu. Dhe do ta them që në fillim që z. Gledis Nano do e ketë shumë të vështirë sfidën, edhe për shkak të niveleve ku ka arritur performanca e Policisë së Shtetit. Kështu që përveç konsideratave të larta që kemi për Gledisin si oficer dhe si shërbyes me profesionizëm të lartë deri më sot në Policinë e Shtetit, fjalët e tjera do t’ia lëmë kohës dhe punës që vetë Gledisi do të demonstrojë gjatë ushtrimit të detyrës.

Kështu që i uroj punë të mbarë Drejtorit të ri të Policisë së Shtetit dhe, siç e tha edhe drejtor Ardi, asnjë drejtor policie, asnjë ministër i Brendshëm nuk mund të ketë sukses pa angazhimin e të gjithëve ju, që jeni sot dhe të gjithë atyre punonjësve të policisë, që shërbejnë në çdo cep të Shqipërisë!

 

Top Channel