Çfarë po e ngadalëson procesin e vaksinimit? Manastirliu: Gjithologët dhe konspiracionistët po marrin…

07/10/2021 10:35

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka treguar në kuvend disa nga shkaqet që e kanë ngadalësuar procesin.

“Procesin e kanë vështirësuar hapësira e paarsyeshme që u dhurohet konspiracionistëve; vetëpërmbajtja e munguar e “analizuesve të gjithçkasë”; e gjithologëve që ngrenë pikëpyetje mbi vaksina të certifikuara dhe miratuara për përdorim nga organizma prestigjozë ndërkombëtarë ku punojnë ekspertët më të mirë në botë. E të mendosh që sot e kësaj dite, askush prej tyre nuk ka dalë e të na tregojë një tjetër rrugë, veç vaksinimit, për t’iu afruar fundit të kësaj pandemie”, tha Manastirliu në fjalën e saj në kuvend.

Sipas Manastirliut, do të hyjmë në një fazë tjetër të intesifikimit të planit të vaksinimit me qëllim rritjen më tej të mbulesës vaksinale.

Do të jemi me strukturat tona të lëvizshme në çdo universitet, e më me shumë intensitet në çdo qytet, në çdo fshat të Shqipërisë. Ekipet tona të profesionistëve do të jenë aty, për t’u ofruar qytetarëve shpjegime, vetëdijësim dhe vaksinimin falas afër vendbanimit. Ne e treguam gjatë kësaj krize të shëndetit publik me përmasa globale, se nuk do të lëkundemi. E sigurisht që nuk kemi ndërmend ta bëjmë tani, kur drita në fund të tunelit, duket gjithnjë e më qartë”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se janë vaksinuar rreth 45 % e popullatës target me dozën e parë dhe 37% me dy doza.

Sot kemi mbi 1.7 milion vaksinime të kryera. Janë vaksinuar me 1 dozë, rreth 45% e mbi 18 vjeç dhe me dy doza mbi 37% e atyre mbi 18 vjec. Këto shifra janë sipas përcaktimit të ekspertëve dhe aspak meje, përbëjnë popullsinë target +18 vjec. Nëse përfshijmë edhe nga 1 vjec e lart, mbulesa është mbi 35% me një dozë dhe pothuaj 29 % e vaksinuar plotësisht. Këto janë shifrat”, tha Manastirliu.

 

Top Channel