Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të enjten hodhi akuza të forta ndaj qeverisë, duke deklaruar se nuk arriti të menaxhojë mirë pandeminë.
Nga foltorja e Kuvendit, kreu i opozitës, theksoi se qeveria ka fshehur vdekjet reale nga COVID dhe se nuk mbajti premtimet për të ndihmuar qytetarët e prekur.
“Rendi i ditës, i cili ka në thelb marrëveshjen me Pfizer, vendos pandeminë në qendër të debatit parlamentar, siç duhet të jetë. Është diskutuar nga opozita në komsione për vaksinimin dhe diferencën e shifrave të raportuara nga qeveria dhe ashtu si në traditën e keqe të qeverisë , ajo që thuhet nuk bëhet, gënjejnë për pandeminë, ata kanë gënjyer për ndihmën ekonomike, për rimbursimin e pacientëve, për tenderat , dosje që këndellet në gjumë SPAK dhe pandemia, por mbi të gjitha kanë gënjyer për jetët e humbura, 16 mijë më shumë se mesatarja e viteve të kaluara, jo siç thotë qeveria rrena, këtë e konfirmon edhe raporti i KE”, tha Basha.
Sipas tij, kjo ishte një shuplakë për familjet që u ndanë nga të dashurit e tyre, një kalvar dhimbjesh që qeveria e mohon. Ai tha se qeveria i ka larë duart me ta, duke theksuar se familjarët nuk kanë shpenzuar më pak se 1 mijë dollarë për kurim në kushte shtëpie.
“E lanë Shqipërinë në fund edhe për masat që morën. Varfëria u thellua, ky pushtet që ka përparësi koncensionit PPP dhe tenderat dha ndihmën më të ulët ekonomike në të gjithë kontinentin. Na la pas dhe Maqedonia me Kosovës, madje kosova po na jep një leksion ndershmërie dhe përgjegjësie, po jep nga 1500 dollarë për familjet që kanë humbur një anëtar nga COVID”, tha kreu i PD-së.
Basha, deklaroi më tej se kjo tregon qartë ndryshimin e qeverisë që u gjendet pranë njerëzve dhe tjetrës që fsheh vdekjet.
“Kjo tregon qartë ndryshimin e qeverisë që u gjendet pranë njerëzve dhe njërës që fsheh vdekjet. Po këta se bëjnë dot se i bie që këto para t’ua marrin klientëve të tyre, i shërbejnë një grushti njerëzish. Rama është gogoli i së keqes”, tha ai.
Top Channel