Superndeshja Itali-Spanjë/ “La Roja” kërkon sot hakmarrjen

06/10/2021 11:16

Katër javë kaluan shpejt dhe skuadrat përfaqësuese të Kontinentit të Vjetër i rikthehen menjëherë në fundjavë sfidave eliminatore të fazës së grupeve, të vlefshme për kampionatin e ardhshëm botëror, që do të zhvillohet vitin tjetër në Katar, gjatë muajve nëntor-dhjetor.

Këtë radhë me një ndryshim, pasi më herët në mesjavë do të zbresin në fushën e lojës pikërisht katër kombëtaret më të mira të Konfederatës së UEFA-s, që do të rivalizojnë ndërmjet tyre në Gadishullin e Apenineve, për të shpallur edhe vendin fitues të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve.

Italia u konfirmua në mbrëmjen e 3 dhjetorit të vitit të kaluar nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, duke mposhtur dy kandidaturat e tjera të Holandës dhe Polonisë. Privilegjin për të pritur sfidat e “final four”-it do ta ketë “La Scala” e futbollit, impianti i famshëm milanez San Siro si dhe stadiumi torinez i Juventusit. Goglat përplasën sërish Italinë me Spanjën në njërin krah, ndërsa në pjesën e poshtme të shortit do të masin forcat Belgjika dhe Franca. Pra në fazën gjysmëfinale të edicionit të dytë në UEFA Nations League kanë fituar të drejtën për të luajtur pikërisht katër nga tetë skuadrat përfaqësuese më të forta në planet. Formati mbetet përsëri i pandryshuar me ekipet që do të grumbullojnë deri në 23 lojtarë, tre prej të cilëve portierë dhe ndeshjet do të shtyhen deri te kohët shtesë, apo qoftë edhe te gjuajtjet e 11-metërshave, natyrisht nëse do të jetë e nevojshme.

Përjashtim bën vetëm takimi i vlefshëm për vendin e tretë dhe të katërt, pasi ndryshe nga c’ndodhi në edicionin hapës këtë radhë finalja e vogël nuk do të ketë nevojë për kohën suplementare, por gjithcka do të zgjidhet pas goditjeve të penalltive. Në Qytetet e Portos dhe Guimaraes-it në Portugali 28 muaj më herët, në edicionin e parë të Ligës së Kombeve triumfoi skuadra luzitane, që mundi në finalen e madhe Holandën, falë një goli të futbollistit të Valencia-s Goncalo Guedes pas një ore lojë, ndërsa në sfidën për vendin e tretë Anglia eliminoi Zvicrën, pas ekzekutimit të 11-metërshave, me sulmuesin Josip Drmic që ishte i vetmi që gaboi në 12 penalltitë e gjuajtura, sepse përsa i përket pjesës tjetër ekipi helvet ia kishte dalë mbanë për ta bllokuar përfaqësuesen e “tre luanëve” në një barazim me rrjeta të paprekura. Këtë herë mungojnë Portugalia, Holanda, Anglia dhe Zvicra, kështu që në “final four” këtë radhë do të luajnë për herë të parë Italia, Spanja, Belgjika dhe Franca, me ndeshjet që do të kenë mbështetjen e teknologjisë në vijën e portës, si dhe Sistemit VAR, ndërsa trajnerët e skuadrave pjesëmarrëse nga ana e tyre do të kenë mundësi për të kryer deri në pesë zëvendësime përgjatë kohës së rregullt si dhe futjen e një tjetër lojtari në 30’ shtesë. Gjysmëfinalet janë programuar për t’u luajtur të mërkurën dhe të enjten në mbrëmje, sidoqoftë “axurrët” kanë favorin e faktorit fushë si vend organizator, kështuqë sfida e parë e edicionit të dytë të Ligës së Kombeve do të jetë pikërisht ndeshja Itali-Spanjë.

Ekzaktësisht tre muaj më parë këto dy vende u përplasën bashkë edhe në fazën gjysmëfinale të evropianit të fundit, ku Italia në fund triumfoi duke u kurorëzuar me titullin e dytë kontinental. Në Ëembley përpara afërsisht 58.000 spektatorëve Federico Chiesa kaloi në avantazh skuadrën e Roberto Mancini-t pas një ore lojë, duke realizuar një nga golat më të bukur të evropianit, ndërsa “la roja” barazoi 10’ para fundit me anë të Alvaro Moratës, që ia doli për të shënuar, duke i shpëtuar nga mbulimi pikërisht dy shokëve të tij të skuadrës te ekipi i Juventusit, pra dyshes së qendrës Chiellini – Bonucci. Luis Enrique preferoi ta nisë ndeshjen pa asnjë sulmues të deklaruar, zgjedhje që në mënyrë të kuptueshme në fund ndikoi në rezultat. Spanja ishte më lart për pjesën më të madhe të kohës, ndërsa italianët u mbrojtën me rregull. Në fund penalltia e parë e humbur nga Manuel Locatelli u zhvlerësua nga gabimet e dyshes Dani Olmo–Alvaro Morata dhe mesfushori i Chelsea-t Jorginho shënoi 11-metërshin përcaktues, duke dërguar “axurrët” në finalen e madhe të kampionatit evropian. Të dy ekipet për momentin kryesojnë grupet e tyre respektive në fazën kualifikuese të botërorit të ardhshëm. Pavarësisht barazimeve me Bullgarinë dhe Zvicrën Italia udhëheq grupin C me 6 pikë më tepër se ekipi helvet, që për hir të së vërtetës ka zhvilluar dy takime më pak, ndërkohë në Grupin B Spanja ndonëse është mundur nga Suedia dhe ka barazuar me Greqinë përsëri ka katër pikë më shumë se sa Suedia, që gjithashtu ka luajtur dy ndeshje më pak se sa “la furia roja”.

Italia ka thyer rekordin e Spanjës dhe Brazilit, duke prekur kuotën e 37 ndeshjeve pa humbje në të gjithë kompeticionet. Për herë të fundit Italia e Roberto Mancini-t është thyer 37 muaj më parë, në Estadio da Luz të Lisbonës, nga një gol i shënuar nga Andre Silva në startin e pjesës së dytë, si për ironi të fatit pikërisht në fazën e grupeve në UEFA Nations League. Që nga ajo kohë “axurrët” krenohen me 30 fitore dhe 7 barazime në të gjithë aktivitetet, por gjithsesi vlen të theksohet fakti se 3 nga ato 30 fitore janë arritur pas kohës shtesë ose gjuajtjeve të 11-metërshave, e sigurisht që bëhet fjalë për tre sfidat e evropianit të fundit, me Austrinë, Spanjën dhe Anglinë. Roberto Mancini nuk do të ketë në dispozicion për arsye dëmtimi sulmuesin e Lazio-s Ciro Immobile.

Sulmuesi i Juventusit Moise Kean realizoi dy gola në vetëm gjysmë ore lojë në fitoren 5-0 të Italisë ndaj Lituanisë, kështuqë në mungesë të Imobiles vendasit mund të mbështeten te treshja Chiesa–Kean–Insigne, ndërsa në mbrojtje Mancini pritet t’i besojë sërish eksperiencës së dy veteranëve Giorgio Chiellini e Leonardo Bonucci që numërojnë nga 113 e 111 ndeshje me ekipin përfaqësues. Në krahun tjetër janë të dëmtuar Pedri, Thiago Alcantara, Dani Olmo dhe Alvaro Martinez, por nuk janë grumbulluar fare gjithashtu as lojtarë si Diego Llorente, Adama Traore dhe Jordi Alba, ndërsa në vend të futbollistit tjetër Marcos Llorente u thirr në kombëtare mesfushori i Tottenham-it Bryan Gil, ndërkaq trajneri asturian grumbulloi për herë të parë në përfaqësuese edhe futbollistë si Gavi dhe Yeremi Pino. Spanja renditet e teta ndërsa Italia aktualisht pozicionohet në vendin e pestë në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s, sidoqoftë bilanci zyrtar i 38 përballjeve ndërmjet tyre në të gjithë kompeticionet është i barabartë me nga 11 fitore dhe 16 barazime.

Italia që kryeson golaverazhin 44-41 ka humbur vetëm një nga pesë sfidat e fundit ndërmjet këtyre dy skuadrave përfaqësuese, ndërkohë vlen të theksohet fakti që me Mancini-n në timon Italia ka pësuar thjesht 1 gol në 10 takimet e fundit në shtëpi, sfida ku “axurrët” kanë fituar plot 90% të këtyre ndeshjeve. Italia paraqitet si favorite për shkak të faktorit fushë, ndërsa Spanja në anën tjetër shpreson që të sigurojë trofeun e parë që nga viti 2012, kur mundi në finalen e madhe të Kievit në kampionatin evropian pikërisht Italinë. Triumfin e fundit në Apenine ndaj vendasve Spanja e ka regjistruar gjysmë shekulli më parë, kur trajneri aktual Luis Enrique nuk kishte mbushur as një vit nga lindja dhe bëhet fjalë për një takim miqësor të vitit 1971, në Stadiumin Sant Elia të Cagliari-t me shifrat 2-1. Ndeshja Itali–Spanjë do të luhet pra në orën 20:45 në stadiumin San Siro të Milanos dhe gjysmëfinalja e parë e këtij edicioni të Ligës së Kombeve do të drejtohet nga kryesori rus Sergei Karasev./ Supersport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA