Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, njoftoi se kamioni i një prodhuesi kosovar që eksporton në Gjermani, u bllokua teksa kalonte në Serbi sepse në dokumentet e tij shkruhej: Republika e Kosovës.

Panxha, përmes një postimi në ‘Facebook’, tregoi se ky nuk është rasti i parë, por kompanitë kosovare po hasin në problem te ngjashme. ”Sapo më njoftoi një prodhues që eksporton në Gjermani se kamioni që kalon transit përmes Serbisë i është bllokuar nga autoritetet serbe.

Arsyeja e bllokimit është se në dokument shkruan RKS dhe autoritetet serbe nuk e pranojnë asnjë dokument ku shkruan RKS edhe pse është i destinuar për vendet tjera”, ka shkruar ai.

“Kjo do të thotë se bllokadat, pengesat dhe vështirësitë me të cilat përballen kompanitë kosovare nuk kanë të ndalur. Institucionet duhet të reagojnë menjëherë, “ thuhej në mesazh.

Më 30 shtator, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë në dialogun në Bruksel, janë pajtuar që automjetet e të dyja vendeve, gjatë qarkullimit në territorin e njëra-tjetrës, të vendosin letra ngjitëse mbi simbolet shtetërore të vendit përkatës në targat e automjeteve, e më pas, lëvizja e tyre të vazhdojë lirisht.

Top Channel