Dy persona kanë mbetur të vrarë në një atentat me armë zjarri mbrëmjen e së hënës në Elbasan. Ardjan Çollaku 50 vjeç dhe Lulzim Bitri 43 vjeç ra pre e një prite nga persona të armatosur të cilët qëlluan me breshëri në drejtim të tyre duke lënë të vdekur në vend Lulzim Bitrin, ndërsa Çollaku gjeti vdekjen disa orë më pas në spitalin e Traumës.  

23 gëzhoja plumbash gjeti policia në vendin e ngjarjes ndërsa mësohet se autorët të cilët ishin të maskuar janë larguar me shpejtësi, kanë braktisur mjetin dhe e kanë djegur në fshatin Balldren të Elbasanit e më tej nuk dihet asgjë për identitetin e tyre.

Viktimat nuk ishin të panjohura për drejtësinë shqiptare. Ardjan Çollaku ishte dënuar më parë për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, dhunë në familje, aksident me pasojë vdekjen etj. Babai i dy fëmijëve njihej edhe me mbiemrin Subashi dhe duket se ka qenë i përfshirë edhe në rrjetin e prostitucionit në Itali.

Nga ana tjetër 43 vjeçari Lulzim Bitri dyshohet si i përfshirë në një vrasje të ndodhur në Tetovë para disa vitesh.

Duket se atentati ka qenë i mirëorganizuar. Autorët ishin në pritje të Çollakut dhe Bitrit e sapo këta të fundit kanë parkuar makinën për t’u ulur në një bar pranë pikës së karburantit janë qëlluar me breshëri.

Policia ka shoqëruar 15 persona si persona që kanë dijeni për ngjarjen ndërsa duket se paraprakisht po hetohet në pistën e larjes së hesapeve të drogës.

Top Channel