Deri tani nuk ka shenja për ‘lojë të dyshimtë’ në vdekjen e karikaturistit suedez Lars Vilks, sipas policisë vendase.
Vilks jetonte nën mbrojtjen e policisë që prej vitit 2007 kur vizatoi një karikaturë denigruese të Profetit musliman dhe mori kërcënime të shumta me vdekje.
Ai vdiq sot bashkë me dy policët që e ruanin, në zjarrin që shpërtheu kur makina e tyre doli papritur nga rruga e saj dhe u përplas kokë më kokë me një kamion që vinte në drejtim të kundërt.
Media të shumta hidhnin dyshime mbi aksidentin e çuditshëm ndërsa radikalet islamiste thonin se ishte dënimi hyjnor për ofendimet e bëra nga vizatimet e tij.
Policia tha: “Ne duam të përjashtojmë mundësinë e akteve të jashtme kundër makinës ku po udhëtonte Lars Vilks. Nuk ka prova që e sinjalizojnë këtë edhe pse nuk e përjashtojmë dot krejtësisht si mundësi,” tha kreu i policisë së Suedisë jugore, Stefan Sinteus.
Policia shtoi se ende nuk kanë përcaktuar arsyen se përse makina e viktimave doli papritur nga rruga e saj duke u përplasur me barrierat e metalta e më pas me kamionin që vinte në drejtim të kundërt.
Një prej hipotezave është shpërthimi i gomës.
75-vjecari Vilks jetonte i mbrojtur gjithmonë nga policia prej kërcënimeve dhe sulmeve që prej vitit 2007 kur vizatoi Profetin musliman Muhamed me koke njeriu e trup qeni, e cila u publikua në një gazetë suedeze.
Më 14 shkurt 2015, një danez i ri me origjinë nga Palestina hapi zjarr ndaj Viks në një debat për lirinë e shprehjes në Kopenhagen. Vetë Vilks shpëtoi në sulm, por një regjizor danez 55-vjeçar dhe roja e sinagogës së Kopenhagen u vranë nga sulmuesi.
Edhe ky i fundit u vra më pas gjatë përballjes me policinë.
Top Channel