Lëvizja Socialiste për Integrim, për herë të parë ka humbur peshën politike në Parlament.
Dy partitë e mëdha PD-PS kanë dhënë sinjalet për t’u ulur në tryezën e dialogut për reformën zgjedhore. Historia e ka treguar se të mëdhenjtë kanë arritur pakte si në 2008-tën, duke zemëruar të vegjlit. Por, a i druhet LSI një skenari të tillë teksa palët janë në prag të uljes për ligjin zgjedhor.
“Kjo që thatë ju nuk është histori e re, ka prodhuar zgjedhje të lira apo shkatërrim të zgjedhjeve? Ka krijuar stabilitet dhe siguri ne vend? Ku s’ka gjjthëpërfshirje ka krizë politike përfaqësimi. Kur ndodhin të tilla gjëra prodhohet vetëm pisllëku i radhës qe fundos shqiptarët”, shprehet Vasili.
Petrit Vasili që ka përfaqësuar LSI-në në tryezën e Këshillit Politik ndan një qëndrim të kundër me demokratët. Hetimi parlamentar për zgjedhjet dhe dialogu politik nuk mund të ecin paralelisht.
“Çështja qëndron pa bërë një analize që nxjerr përgjegjësit do riciklojnë një reformë të shkruar bukur por që nuk zbatohet. U pa që reforma që lame pas, 5 qershori u duartrokit por u dhunua dhe prodhoi krizë dhe polarizim të tejskajshëm. Nëse nuk bëjmë një hetim, gjthëpërfshirje dhe transparence, nuk mund te kemi reformë”.
LSI arriti të grumbullojë mbi 100 mijë vota në zgjedhjet e 25 prillit, por që të përkthyera në mandate rezultuan vetëm 4. Për këtë arsye kur dialogu të nisë, partia e Monika Kryemadhit do kërkojë ndryshimin e sistemit zgjedhor.
“Jetojmë me sistem të kalbur. Ka modele sistemesh, s’dua të hedh propozim konkret. Çështja është e tillë, a ka vullnet që sa është fuqia e një partie aq të jetë përfaqësimi i saj në Parlament”.
Top Channel