Orët e para të mëngjesit të sotëm nisi zhbllokimi i dy pikave kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak që lidhin Kosovën me Serbinë.

Pjesëtarë te KFOR-it dhe automjete ndodhen aty për të mbikëqyrur procesin. Mësohet se serbët lokalë kanë ndezur kamionët dhe pritet të largohen bashkë me to. Njësite special të policisë së Kosovës do të tërhiqen gjithashtu.

Lëvizja në dy pikat kufitare u paralizua që prej 20 shtatorit kur Qeveria e Kosovës mori vendimin të zbatonte masën e reciprocitetit në targat e makinave të regjistruara në Serbi. Sipas vendimit, makinat me regjistrim të Serbisë, duhet t`i hiqnin këto targa në hyrje të Kosovës, dhe të perdornin të tjera të përkohshme gjatë lëvizjes në territor, një masë kjo të cilën Serbia e aplikonte prej shumë vitesh mbi automjetet nga Kosova.

Marrëveshja e arritur në 30 shtator parashikon që nga 4 tetori të nisë regjimi i letrave ngjitëse në vend vend të targave, dhe kjo vlen për të dyja palët. Sakaq KFOR do të vazhdojë të qëndrojë në Jarinjë dhe Bërnjak edhe për dy javë të tjera në mënyrë që të garantojë sigurinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se tani fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitetin, ndërsa presidenti serb Aleksadar Vucic deklaroi po atë ditë se e rëndësishme është që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga veriu.

Top Channel