Në Maqedoninë e Veriut familjarët do të paguajnë më shtrenjtë për elektricitetin dhe gazin natyror. Instituti i Statistikave në vendin fqinj ka publikuar çmimet e energjisë elektrike, të cilat vijnë me rritje 0.2% në krahasim me vitin e kaluar.

Edhe çmimi i gazit natyror për familjarët është rritur në vendin fqinj me rreth 7%.

Sipas mediave të Maqedonisë së Veriut, tregu i energjisë elektrike në vend është në prag të kolapsit. Furnizuesit privatë të energjisë elektrike kanë ndërprerë kontratat me klientët e tyre që nga fillimi i gushtit dhe nuk po i furnizojnë më.

Arsyeja për këtë është rritja e çmimeve të energjisë elektrike në bursë. Blerja me çmime të larta në bursa dhe më pas shitja me çmim të rregulluar nga autoritetet sjell humbje në qindra mijëra euro. Prandaj, për këto kompani është më e favorshme për ta që të paguajnë një gjobë, ose të aktivizojnë një garanci bankare.

Ndërkohë kushtet klimaterike dhe mungesa e qymyrit kanë bërë që Koorporata Elektroenergjetike e Maqedonisë të ulë ndjeshëm prodhimet e saj. Në këtë mënyrë Operatori i Shpërndarjes është detyruar të importojë me çmime stratosferike për të plotësuar kërkesat e konsumatorëve. Sipas mediave fqinje, këto humbje dhe deficite të shkaktuara nga tregu do të taksohen direkt ose indirekt mbi qytetarët, ndërsa çmimet e kanë filluar rritjen që këtë vit.

Enti Rregullator në Maqedoni ka ndërhyrë duke vendosur sanksione të rënda për ata që thyejnë kontratën, por kjo nuk do të mjaftojë sipas mediave për të ndaluar shokun e çmimeve, që pritet të vijë.

Çmimet e energjisë elektrike në Europë kanë thyer rekorde historike me Italinë që po e blen energjinë me çmim mesatar 206 euro ndërsa Spanja 216 euro.

Në Spanjë qeveria ka vendosur të ndërhyjë për të kompensuar qytetarët nga kjo rritje e menjëhershme e çmimeve, ndërsa në Itali Enti Rregullator njoftoi një rritje me 40% të faturave, që do të thotë 247 euro më shumë për çdo familje në shtetin fqinj.

Kriza që ka pushtuar Europën vjen si shkak i tranzicionit drejt një energjie më të pastër për mjedisin, por kjo strategji nuk është favorizuar nga kushtet klimaterike dhe kërkesa e lartë në treg pas pandemisë.

Top Channel