PD: Rritja ekonomike e manipuluar/ “Të dhënat s’janë të sakta. Rritja reale është vetëm 3 për qind”
01/10/2021 15:06
Demokratët i shohin me rezerva të dhënat e INSTAT që flasin për rritje ekonomike ne nivelin 17.9 %.
Për nënkryetaren e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku këto shifra nuk janë reale.
“Rritja reale është në mesataren e 3%. Pse? Sepse e njëjta periudhë e vitit të kaluar ka pasur një rënie minus 11 përqind . Është nisur që nga baza minus 11 përqind çdo gjë duket rritje , mesatarisht periudha ka një rritje shumë të ulët që shkon në nivelin e 3 përqind”, tha Tabaku.
Sektori i bujqësisë shënoi rënie, ndërkohë e kundërta ndodhi me sektorin e argëtimit dhe ndërtimin. Kjo sipas zyrtares demokrate lidhet me disa arsye.
“Rritje kishte sektori i argëtimit dhe duke qenë se është para sezonit të vjeshtës që vendos në pikëpyetje të madhe për manipulim shifrash, baza nuk është e vërtetë dhe reale dhe sektori i dytë ishte sektori i ndërtimit me rritje. Që lidhet me fondet e rindërtimit që janë paguar ditën e zgjedhjeve por edhe me bumin e ndërtimeve në Tiranë. Kjo lidhet me pastrimin e parave , ekonominë informale dhe është rritje që në fund të ditës nuk është përkthyer për konsumatorin për qytetarët”, tha ajo.
Sipas Jorida Tabakut nëse vijohet me të njëjtin kurs, e ardhmja e ekonomisë shqiptare nuk do jetë aq rozë sa e pretendon qeveria.
“Edhe në rastin e bujqësisë që gjatë periudhës së zgjedhjeve kishte një politikë stimuluese për naftën për fermer ajo dështoi se reflektohet në këto të dhëna ka më pak punësim dhe prodhim. Pandemia tregoi se jemi shtet prej letre që u shkrinë për dy muaj me një mbyllje të ekonomisë pa asnjë bazë të ardhurash të ruajtura, me biznese që u detyruan të mbylleshin ndërkohë që nuk shoh asnjë ndryshim kursi me qeverinë e re”, sipas Tabakut.
Partia Demokratike parashikon t’i bëjë një oponence të fortë çdo nismë ekonomike të qeverisë në Parlament . Paralelisht beteja do vijojë edhe me hetimin parlamentar. Sot ishte radha e depozitimit të kërkesës për ngritjen e komisonit hetimor për incineratorët dhe çështjen Becheti.