Mosmarrëveshje për gjykatat e apelit/ Gjykatësit kërkojnë vetëm një, qeveria kërkon që të jenë pesë

01/10/2021 19:51

Pasi Etilda Gjonaj, për një vit nuk i dha asnjë drejtim çështjes së hartës së re gjyqësore të propozuar nga KLGJ, një lufte e re duket në sfond edhe me ministrin e ri të drejtësisë Ulsi Manja.

Përplasja mes dy qeverive, asaj të gjyqësorit dhe përfaqësuesve të ekzekutivit lidhet me kërkesën e KLGJ për të riorganizuar gjykatat ku pritet mbyllja e 15 gjykatave. KLGJ insiston prej datës 20 shtator 2020 që të shkrihen 5 gjykata të apeleve në rrethe dhe të ngrihet vetëm një gjykatë Apeli në Tirane e ndarë në dy dhoma civile dhe penale.

Por paraardhësja e Manjës, Gjonaj nuk pati të njëjtën ide sa kohë harta mbeti në ajër ashtu si gjyqtarët që delegohen prej kohësh për të zgjidhur çështjet. Por edhe ministri Manja duket se ka një mendim ndryshe nga KLGJ, që megjithëse është institucioni që riorganizon gjykatat, hartën e ka kompetencë t’ia përcjellë qeverisë ministri i linjës.

Edhe në takimin më të fundit mes palëve, KLGJ ka ruajtur të njëjtin qëndrim sa i përket reduktimit të gjykatave të zakonshme që nga 22 zbresin në 12 sipas parimit një gjykate një qark. Megjithatë mos gjetja e një gjuhe të përbashkët nuk i frenoi palët që gjatë takimit për pesë vjetorin e reformës të shpotisnin njëra-tjetrën.

KLGJ ka konstatuar se gjykatat e vogla dështuan jo vetëm për shkak të vetting-ut që solli shkarkime. Por, nga dorëheqjet e shpeshta të gjyqtarëve lokalë nga çështjet. Kjo sjell delegimin e vazhdueshëm të trupave nga gjykata të tjera, që ka hapur fenomenin e gjyqtareve fluturues, të cilët vazhdojnë të jetë prezent megjithë reformën në drejtësi.

Top Channel