Presidenti i Ekuadorit, Guillermo Lasso, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në sistemin e burgjeve, pas një beteje në mesin e të burgosurve që ka rezultuar me të paktën 116 persona të vdekur dhe rreth 80 të plagosur.
Zyrtarët, të cilët kanë fajësuar bandat e lidhura me kartele ndërkombëtare të drogës, kanë thënë se të paktën pesë të vdekurve u është prerë koka në përleshje në Guayaquil.
Presidenti Lasso e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme më 29 shtator, duke thënë në një konferencë për media se ajo që ka ndodhur është “e keqe dhe e dhimbshme”, dhe ka thënë se ai nuk mund të garantojë se autoritetet kanë nën kontroll situatën.
“Është për keqardhje që burgjet janë duke u kthyer në territore për përleshje mes bandave kriminale”, ka thënë ai, duke shtuar se do të veprojë me “qëndrueshmëri absolute”, për të fituar kontrollin e burgut dhe të parandalojë përhapjen e dhunës edhe në burgje tjera.
Gjendja e jashtëzakonshme i jep fuqi Qeverisë së Ekuadorit që të përfshijë edhe zyrtarë policorë e ushtarakë nëpër burgje.
Ledy Zuniga, ish-presidente e Këshillit Kombëtar të Ekuadorit për Rehabilitim, ka thënë se në historinë e këtij shteti të Amerikës Jugore, nuk është raportuar asnjëherë një incident i shkallës së tillë nëpër burgje./REL
Top Channel