Kriza aktuale dhe e ardhmja e Partisë Demokratike është tema e sotme e emisionin “Open”, në Top Channel.
Pasi kryedemokrati Lulzim Basha e përjashtoi nga grupi parlamentar i partisë, Sali Berisha ka filluar takimet me përkrahësit me qëllim shkarkimin e Bashës dhe reformimin e partisë, siç thotë ai.
Vendimi i Bashës vjen pas shpalljes ‘non grata’ të Berishës nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Sipas kreut demokrat, “derisa të mbarojnë hetimet, Berisha do të qëndrojë jashtë grupit të djathtë”.
Por, a ishte përçarja e partisë, qëllimi i SHBA-së, kur shpalli ‘non grata’ Berishën?
Sipas publicistit Ergys Mërtiri, pyetja “A janë vërtet amerikanët kundër PD-së”, është çelësi për të gjetur zgjidhjen.
“Nëse eliminimi i Berishës, është shkatërrim i opozitës, atëherë po, amerikanët janë kundër PD-së. Por, unë nuk mendoj se opozita varet nga një njeri i vetëm. Tani, duan Ramën se i garanton 10 gjëra që kërkojnë, por çfarë ka Basha që të mos i plotësojë. Pse duhet të plotësojmë gjithë këtë zallamahi?”
Sipas tij, “qëllimi amerikan është të bëjë qarkullim elitash”:
“Për këtë arsye kanë bërë sy qorr ndaj çdo gjëje që ka bërë Rama, vetëm e vetëm të mos lejojnë rikthimin e Berishës apo Metës. Tani besoj se do kenë një qëndrim neutral”.
Top Channel