Austria do të dërgojë policë dhe katër dronë në Malin e Zi për të ndihmuar policinë vendase te monitorojë kufirin. marrëveshja u arrit gjatë takimit të ministrit të brendshëm austriak, Karl Nehamer, me homologun malazez Sergej Sekulović, gjatë një vizite në Podgoricë.
Për Malin e Zi, kjo ujdi konsiderohet e rëndësishme pasi Frontex nuk ka mandat veprimi në atë rajon. Më herët, gjatë takimit të tij me kryetaren e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, presidenti malazez Milo Gjukanoviç përsëriti se qëndrueshmëria e Ballkanit Perëndimor është duke u cenuar nga provokimet e ndryshme.
“Ne jetojmë në një kohë kur stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është në rrezik, falë ofensivës së interesave gjeopolitike të ndryshme që janë kundër sistemit të vlerave europiane. Interesi i këtyre ndikimeve është pengimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Unë tregova vendosmërinë tonë për të arritur vlerat europiane”, tha Gjukanoviç.
Von der Leyen arriti në Podgoricë pas vizitës në Tiranë, Shkup dhe Prishtinë si pjesë e turneut në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Top Channel