Top Story/ Pjesëtarë të sigurisë para ekzekutimit të Xhuvanit, çfarë thotë Ambasada Amerikane për Paplekën

29/09/2021 23:01

Arbër Paplekaj i cili sot ndodhet prapa hekurave për vrasjen e Pjerin Xhuvanit konsiderohej njeriu më i specializuar i grupit në aspektin operacional.

Ai, ka shërbyer me mision në Afganistan ku ka trajnuar forcat vendase ndërsa në atdhe ka shërbyer pranë forcave speciale RENEA. Papleka është dekoruar nga kryeministri me motivacionin “për merita të veçanta në luftën kundër terrorizmit”. Ai u ka shpëtuar jetën dy personave në operacione policore. Këtë informacion, Arbri e theksoi në dëshminë që ka dhënë të cilën Top Story e disponon të plotë.

“Jam i stërvitur dhe i betuar për të mbrojtur jetë njerëzish. Në 2015-ën parandalova vrasjen e një gjyqtari.

Në Gusht të 2015 përsëri në një qytet verior jam përplasur me armë me një person që kishte kallashnikov që do vriste doktorin dhe i shpëtova jetën” u shpreh Arbër Papleka, i arrestuari për vrasjen e Pjerin Xhuvanit

Në dëshmi, ai tregon emrat e 14 paraardhësve të tij deri në vitin 1500 duke shtuar se kanë derdhur gjak për atdhe si familje. Për 2 vite e 9 muaj Papleka ka qenë pjesë e trupës së sigurisë së Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Top Story iu drejtua përfaqësisë diplomatike me një kërkesë për informacion rreth profilit të Paplekës në detyrë dhe arsyeve të largimit.

“Është në politikën tonë të mos ndajmë informacionet që kërkoni për ndonjë prej punonjësve tanë aktualë apo të mëparshëm. Sidoqoftë, ne mund të konfirmojmë se zoti Papleka ishte një punonjës i Ambasadës Amerikane nga Shkurti i vitit 2018 deri në Nëntor të vitit 2020 dhe pozicioni i fundit që ai ka mbajtur ishte si pjesëtar i sigurisë së ambasadës”.

Nuk dihet se si një njeri me karrierë të lamueshme si ai në fushën e sigurisë bëhet pjesë e një strukture partiake për mbrojtjen e votës, strukturë e ngritur pa asnjë bazë ligjore. Dikush e angazhoi dhe përdori aftësitë e babait të 4 fëmijëve që sot ndodhet prapa hekurave pas një konflikti të stisur nga politika.

Top Channel