Kjo skenë tronditëse, përgjaku fushatën e zgjedhjeve të 25 Prillit të vitit 2021…Pjerin Xhuvani, një personazh me peshë në Elbasan do të ekzekutohej me armë pas një konflikti që lidhej me dyshimet për blerje votash.

Ai ndërhyri për të liruar një person të njohur të botës së krimit i cili mbahej i bllokuar në rrugë nga aktivistë të opozitës që dyshonin se po blinte vota.

Pjerin Xhuvani ishte me profesion psikiatër ndërsa në politikën lokale të Elbasanit ishte përfshirë si kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Me mbështetjen e partisë së tij të dikurshme, ai u emërua në krye të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, dega Tiranë. Xhuvani u arrestua nën akuzën e korrupsionit dhe u dënua me 3 vite burg, që iu konvertuan në 2 vite e gjysmë shërbim prove.

I ndjerë i tradhtuar nga partia, Xhuvani largohet nga LSI duke e luftuar me sa të mundet këtë forcë. Në vitin 2017 ai shfaqet në fushatë me Partinë për Drejtësi Integrim dhe Unitet. Së fundi, Xhuvani njihej si mbështetës i Partisë Socialiste. Ai ishte mjaft prezent në fushatë. Emri i tij doli në pah në incidentin e ditës së Verës në Elbasan ku mbështetës të mazhorancës u konfrontuan me ata të opozitës që kishin dalë të prisnin me protestë kryeministrin Edi Rama.

Pas atij episodi, drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Elbasanin Gazmend Bardhi shpërndau përmes rrjeteve sociale një video të montuar nga selia blu me emrat e personave të përfshirë në incident. Bie në sy emri i Pjerin Xhuvanit. Ai konsiderohej nga selia blu organizator i grupit dhe person i implikuar në laboratorin e kokainës në Xibrakë. Në fakt, akuza e opozitës bazohej mbi thashetheme. Ndaj tij nuk është ngritur kurrë akuzë zyrtare nga prokuroria.

Top Channel