Top Story/ Ishim prezent kur u vra Xhuvani, zbulohen dëshmitë e dy Zv.Drejtorëve të Policisë

29/09/2021 23:31

Të parët në vendngjarje ishin 2 zv.drejtorët e qarkut Albert Nushi dhe Nikollaq Palla, dëshmitë e të cilëve bëhen publike për herë të parë në këtë Top Story.

“Menjëherë i kam informuar për situatën se çfarë ishte konstatuar dhe pas fuoristradës kam parë se ka ardhur dhe një furgon i policisë të cilët duhet të ishin forcat shqiponja”u shpreh Arjan Hoxha, Kryetar i Strukturës së PD-së. “Ai i ka thënë që kemi ndaluar këtë mjetin ML, ngjyrë të zezë pa targa, e cila ka brenda karta identiteti dhe po shpërndan lek nëpër votues”u shpreh Nikollaq Palla, Ish-Zv.Drejtor i Policisë së Elbasanit.

“Ai me sqaron se ai bashkë me disa persona të tjerë kishin bllokuar një person, shtetas tjetër me arsyen sipas tij se ai person po bente veprime për blerje votash për një subjekt politik. Ai me tregoi se atij personi që kishin bllokuar i përkiste mjeti, fuoristrada e zezë të cilen ma tregoi me gisht dhe ishte ajo që cilesova më lart gjatë deklarimit. Arjani me tha se brenda në ate mjet ka para , lista emerore” u shpreh Albert Nushi, Ish-Zv. Drejtor i Policisë së Elbasanit.

Në vendngjarje ndodheshin së paku 10 punonjës policie. Brenda pak çastesh nga mbërritja e uniformave blu, aty u grumbulluan me shpejtësi një numër i madh personash në mbështetje të Mehmet Grecës. Ata ishin agresivë dhe nisën të fyenin e debatonin ashpër me aktivistët e PD. “Në këtë moment që po bisedoja me zv. Drejtorin dhe po bëheshim gati për tu larguar, na kanë ardhur disa mjete civile, një Range Rover i zi, me maskarino metalizato, një benz ngjyrë blu i errët dhe mjete të tjera të cilat nuk i kam fiksuar dhe nga mjetet kanë zbritur persona të shumtë, ku na kanë rrethuar dhe na janë turr drejt” u shpreh Arjan Hoxha, Kyetar i Strukturës së PD-së.

“Në këtë moment unë i them përgjegjësit të grupit Shqiponja që shoqëroni personin në Drejtori së bashku me mjetin pa targa. Në këtë kohë plasi rrëmuja, filluan të konfrontoheshin me njëri-tjetrin dhe unë dëgjova të shtëna armësh që vinin nga mesi i pallateve jo në rrugën kryesore ku kishim qëndruar makinën ne” u shpreh Nikollaq Palla, Ish-Zv.Drejtor i Policisë së Elbasanit.

Pak a shumë, kjo dëshmi përputhet edhe me atë të zv-drejtorit tjetër Albert Nushi si dhe 8 efektivët e forcave Shqiponja. Të shtënat ishin kaotike dhe vinin nga drejtime të ndryshme. I pari u rrëzua përtokë Pjerin Xhuvani i cili humbi jetën në vend. Ai ishte gjendur mes konfrontimit në mbështetje të Mehmet Grecës. Gjatë shkëmbimit të zjarrit mbetën të plagosur edhe Eltion Bodinaku, dhëndrri i viktimës, punonjësja e policisë Xhensila Sota, si dhe dy personat e strukturës së PD Emiljan Prenga dhe Pavlo Vuksani.

“Nga aty ku isha kam kthyer koken andej nga vinin krismat dhe kam vënë re se aty ishte e parkuar një makinë e vogel, veturë ngjyre e zeze, pra e parkuar tek rruga e prishur, rruga qe po riparohet. Kam vënë re duke parë mbi pjesën e sipërme të asaj veture, nga pas saj, një person i cili ishte i ulur, mbështetur ne njërin gju dhe shtinte me pistoletë pa nderprerje, në drejtim të grumbullit të personave që ishin në këmbë pranë blloqeve të betonit” u shpreh Albert Nushi, Ish-Zv. Drejtor i Policisë së Elbasanit.

Personi për të cilin flet në dëshminë e dhënë zv.drejtori i policisë është Arbër Papleka. Kjo zbulohet edhe nga dëshmitë e anëtarëve të tjerë të strukturës së mbrojtjes së votës. Por, Papleka nuk ishte i vetmi që qëllonte. Në vendngjarje u dëgjuan të shtëna nga disa lloj armësh. Ekspertiza zbuloi të paktën 3 të tilla.

Top Channel