Top Story/ Dokumentet që zbulojnë gënjeshtrat e Ardi Veliut, çfarë u gjet në mjetet e Grecës dhe Kel Çamit

29/09/2021 23:36

Të nesërmen e ngjarjes, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardiu Veliu, deklaroi se brenda mjetit nuk u gjetën sende që mund të përdoreshin për blerje votash siç pretendonte opozita.

“Nga kqyrja e automjetit Mercedez tip ML pa targa, i gjetur në vendngjarje, grupi hetimor nuk ka konstatuar sende të kundraligjshme apo të dyshuara se mund të përdoreshin për shitblerje të votës” u shpreh Ardi Veliu, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë. Në fakt, materialet e prokurorisë zbuluan gënjeshtrën e drejtorit të policisë siç duket në këtë dokument të siguruar nga Top Story. Brenda mjetit ishte gjetur bllok me shënimin “Met Dafllaku pagesë” ku listoheshin emra, numra ID si dhe lista patronazhi. Dafllaku ishte nofka e Mehmet Grecës.

“Flitet për karta ID, fotokopje, një seri numrash, flitet për listime emrash me të dhëna që dyshohet që janë pagesa ose përbri ka përshkrime për lekë me këto emra dhe fletapalosje apo material tjera fushate elektotrale” u shpreh avokati Redi Rama. Në mjet u gjetën gjithashtu 100 euro, 200 lekë të reja, si dhe një shkop gome që plotëson kriteret e armës së ftohtë. Pra, këtu është gënjeshtra e dytë e drejtorit të policisë Veliu që thotë se në mjet nuk kishte asnjë send të jashtëligjshëm. Çuditërisht, ndaj Grecës nuk nisi procedim penal për armën e ftohtë që mbante në makinë.

Ishte e qartë se një person i dënuar për trafik droge ishte përfshirë në fushatë. Juridikisht, materialet e sekuestruara nuk plotësojnë kriteret e të qenit “materiale zgjedhore”, por listat me numra ID ku shkruheshin pagesa, si dhe listat e patronazhit ishin tregues i qartë. “Në momentin e ndalimit të kësaj makine që kishte sende zgjedhore duhej saktësuar se pse ishin ato, arsyeja pse ishin një listë e gjatë me emra dhe para në krah në një moment që jemi disa ditë përpara zgjedhjeve” u shpreh avokati, Redi Rama.

“U vërtetua që drejotri policisë kishte gënjyer, u vërtetua me dokument që në ato makina kishte pasur material që vërtetonin krim zgjedhor” u shpreh gazetari Ferdinad Xhaferri. “Të mos dilet me deklarata të nxituara për të dhënë element cfarë kishte si ndodhi apo ti shërbehet njërës apo tjetrës palë se kjo dëmton hetimin, kjo bën të ketë presion mbi prokurorinë dhe gjithë ekspertët që kryejnë hetimet” u shpreh Redi Rama, Avokat.

Në vendngjarje, u sekuestrua edhe një mercedez luksoz me targa AB 010 BC. Edhe në këtë mjet ishin konstatuar materiale të dyshimta. Aty u sekuestruan 5 copë fletë formati A4 me përmbajtje listë me emra dhe ID të shtetasve të ndryshëm dhe 17 fotokopje kartash identiteti apo pasaportash të shtetasve të ndryshëm. Brenda veturës u gjet karta e identitetit e Kelmend Xhaferrit, i njohur si Kel Çami. Këtu del qartë implikimi në konflikt i një personazhi të njohur të botës së krimit, i konsideruar krahu i djathtë i Suel Çelës. Xhaferri, është i njëjti i dënuar për përplasjen e me makinë të blinduar të mjeteve të policisë në hyrje të tregut të familjes Çela në Shtator të vitit 2017. Pra, ndryshe nga sa është thënë deri sot, materiale të dyshuara për krim zgjedhor nuk janë gjetur vetëm në makinën e Mehmet Grecës, por edhe në atë të Kel Çamit.

Referuar materialeve të prokurorisë, Xhaferri dyshohet të ketë qëlluar me armë zjarri në konfrontimin me Paplekën. Ai është shpallur në kërkim nën akuzën e tentativës së vrasjes në rrethana cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave. Vetëm njëri prej oficerëve të policisë, emrin e të cilit nuk e zbulojmë për arsye sigurie, përmend rolin aktiv të Kel Çamit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA