Konfrontimi i Ditës së Verës, ishte tregues se fushata në Elbasan nuk do të ishte e qetë. Ky qark, prodhon 14 mandate deputetësh dhe është jo pak përcaktues për animin e peshores së shumicës.

Problemet që mund të lindnin, i kishte nuhatur edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim. Ajo e kishte vizituar Elbasanin në 10 Mars.

“Kujtoj që Ambasada e SHBA tha para zgjedhjeve që në fokusin tonë të veçantë do jetë Elbasani dhe ata e dinë shumë mirë, kanë informacion se çfarë ndodh atje” u shpreh gazetari, Ferdinand Dervishi.

Incidenti i 14 Marsit, risolli në fokus flirtin e politikës me krimin dhe lidhjet me bandat. Në Elbasan prej vitesh operojnë në rivalitet të egër mes tyre dy 2 grupe kryesore: fisi Çapja dhe fisi Çela.

“Grupet kriminale në Shiqpëri përherë identifikohen gjithmonë si mbështetës të një krahu politik në Elbasan kemi lexuar të njëjtën gjë, njëri grup Çapjat që mbështet të djathtën dhe njëri grup Çelajt me të majtën, nuk është e parealizueshme” u shpreh gazetari, Ferdinand Dervishi

Në sezonin e parë, në puntatën e 30 Janarit të vitit 2019 Top Story i kushtoi një dokumentar të plotë përplasjeve mes bandave kryesore të Elbasanit. Mes informacioneve të transmetuara, binte në sy miqësia mes Suel Çelës dhe Sokol Sanxhaktarit, dhëndri i ish-kryebashkiakut socialist Qazim Sejdini.

“Me veprimet e tyre këto banda, të paktën në dy raste të njohura i kanë vënë bërrylin dhe policisë, një rastë në tregun e Elbasanit kur një personazh goditi mjetin e zv.drejtorit të policisë në mënyrë flagrante dhe një rast tjetër kur Capjat goditën policinë duke menduar se këta janë njerëz janë hasmi ynë dhe vajtën goditën policinë” u shpreh gazetari, Ferdinand Dervishi

Vitet e fundit, është vënë re fuqizimi i familjes Çela përkundrejt Çapjave që sot vuajnë edhe përballjen me ligjin. Sot, Ardian Çapja është arrestuar nën akuzën e organizimit të vrasjes me pagesë të Gentian e Nezir Beqirit në vitin 2012. Ndërkohë, edhe nipi i tij Florenc Çapja u arrestua në Dubai për të njëjtën akuzë. Ndaj Çapjave është hapur një tjetër dosje e vjetër për akuzën e vrasjes.

“Grupi kundërshtar i Capjave së fundi u ka dhënë atyre disa goditje, dhe goditjen e tyre ua dha dhe shteti. Por për grupin tjetër që mendohet që mbështet këta që ishin e janë në pushtet duket sikur nuk ka pasur ndonjë ndërmarrje të fuqishme, duket sikur dora e shtetit nuk ka funksionuar e kemi këtë situatë” u shpreh gazetari, Ferdinand Dervishi

Me Çapjat e dobësuar dhe të ndodhur nën goditjen e autoriteteve ligjzbatuese, Çelajt duket se kishin dorë të lirë në Elbasan. Pjesëtarë të këtij grupi ishin denoncuar nga opozita si pjesëmarrës në incidentin e ditës së verës. Partia Demokratike, kishte zgjedhur të organizonte grupe të posaçme të quajtura Struktura për Mbrojtjen e votës. Kjo, u theksua në 7 Prill nga një prej drejtuesve të fushatës së demokratëve në një intervistë televizive.

“Mbrojtja e votuesve, komisionerëve dhe vëzhguesve ditën e votimit. Janë të gjithë vullnetarë që janë të gatshëm që atë ditë në qoftë se Policia e Shtetit nuk bën punë e saj, ta bëjnë ata punën e tyre” u shpreh Alfred Rushaj, Kryetar i Grupit PD.

Top Channel