Shtëpia ‘e mrekullisë’ që i shpëtoi vullkanit, më në fund gëlltitet nga llava në ishullin La Palma (foto dramatike)

29/09/2021 16:22

Shtëpia që kishte mbijetuar e vetme e rrethuar nga llava e vullkanit të La Palma, tashmë është shkatërruar nga shkëmbi i shkrirë, njoftuan sot të zotët.

Rainer Cocq, biznesmeni holandez në pension që zotëronte shtëpinë e pushimit dhe vreshtat rreth saj me bashkëshorten Inge Bergedorf, konfirmuan sot se prona e tyre është gëlltitur nga llava e vullkanit.

“Çdo gjë është shkatërruar”, tha ai për të përditshmen spanjolle El Mundo nga rezidenca në Holandë. “Kemi humbur gjithçka në ishullin tonë të dashur, është shumë e trishtë, Inge dhe unë jemi shumë të tronditur”.

Imazhet e shtëpisë së mbijetuar mes magmës ishin në faqet e para të gazetave javës që shkoi, kur shtëpia “e mrekullisë” qëndronte në këmbë si simbol i sfidës dhe rezistencës ndaj panoramës së shkatërrimit që e rrethonte.

Por rrjedhimisht llava u ngrit edhe mbi pjesën disi të ngritur të tokës ku qëndronte shtëpia e vogël, duke e varrosur atë bashkë me ndërtesat fqinje.

Ndërkohë imazhe dramatike vinin sot përsëri nga ishulli i vullkanit teksa lumi i llavës me temperaturë 1,000 gradë C rrëshqiste frikshëm poshtë faqes së malit drejt brigjeve perëndimore të detit në La Palma.

Re të mëdha avulli ngriheshin në ajër pas takimit të magmës me ujin, për të cilat është paralajmëruar se çlirojnë lëndë toksike si acid hidroklorhidrik.

Shkëmbi i shkrirë që ftohet shpejt nga uji prodhon gjithashtu fenomenin e quajtur ‘laze’ – një pluhur i imët me xhama shkëmborë që mund të shkaktojë probleme frymëmarrjeje.

Nga tre njerëz që kanë vdekur në dy shpërthimet e fundit vullkanike në La Palma në 1949 e 1971, dy humbën jetën nga thithja e gazeve toksike duke qëndruar pranë llavës.

Në shpërthimin aktual përveç dëmeve masive materiale, askush nuk është lënduar ose vrarë, por ekspertët thonë se mund të zgjasë deri në nëntor.

Shpërthimi ka ndodhur në majën Cumbre Vieja, në një vargmal vullkanik në La Palma që parë shpërthime llave që prej viteve 1600.

Lajmi që lumi i llavës arriti bregun e oqeanit ishte njëfarë lehtësimi për grupet e shpëtimit pasi shkëmbi i shkrirë tani pritet të ndjekë të njëjtin shteg rrjedhjeje, duke kufizuar masën e shkatërrimit.

Deri të martën llava ka shkatërruar 589 shtëpi, ka djegur rreth 300 hektarë dhe ka shkatërruar 13 milje rrugë.

FOTO GALERI
1/13
Llava e vullkanit arriti se fundmi ne oqean

Top Channel