Bashkia e Tiranës nderon Mbretëreshën Geraldinë, statuja e saj do të vendoset pranë Bulevardit Zogu I

29/09/2021 19:11

Në procesin e vlerësimit të figurave që kanë kontribuar në qytetin e Tiranës, por edhe me kërkesë të Ambasadës së Hungarisë, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot vendosjen e statujës së Mbretëreshës Geraldinë në rrugën “Fortuzi”, prane Bulevardit Zogu I.

Mbretëresha Geraldinë u martua me mbretin Zog më 27 prill 1938, në Tiranë. Gjatë qëndrimit të shkurtër të saj në Shqipëri, Mbretëresha Geraldinë u angazhua në forcimin e mirëqenies së popullit shqiptar, veçanërisht njerëzve në nevojë.

Ajo kontribuoi në ngritjen e institucioneve sociale, si spitale, azile dhe jetimore. Ishte e angazhuar plotësisht në promovimin e të drejtave të grave dhe emancipimin e tyre. Luajti rol të rëndësishëm në ngritjen e maternitetit të parë në Shqipëri. Pas pushtimit fashist, u largua nga Shqipëria bashkë me familjen e saj për t’u rikthyer shumë vite më pas sërish. Mbretëresha Geraldinë u nda nga jeta më 22 tetor 2002.

Në nder të trashëgimisë së Mbretëreshës, në prill të vitit 2004, Presidenti i Republikës aso kohe Alfred Moisiu i akordoi, pas vdekjes medaljen “Nënë Tereza”.

Top Channel