Ministri i Financave në Kosovë, Hekuran Murati ka nënshkruar sot vendimin për përcaktimin e kritereve dhe kushteve lidhur me operacionalizimin e masës 3.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike , Mbështetja për familjet që kanë humbur familjarin nga COVID-19.

Në linjë me politikat që synojnë lehtësimin e pasojave të pandemisë COVID-19, kjo masë synon mbështetjen financiare të familjeve që kanë humbur familjarin e tyre si rezultat i infektimit me COVID-19. Kjo bëhet në përpjekje për të zbutur vështirësitë financiare me të cilat këto familje mund të përballen.

Në komunikatën ministrore thuhet se në zbatim të masës 3.1, secilës familje që ka humbur familjarin si pasojë e infektimit me COVID-19 do t’i ofrohet mbështetje financiare në vlerë prej 1,500 Euro. Sidoqoftë, duke konsideruar që stafi mjekësor në sektorin publik ka bartur barrën kryesore në ruajtjen e shëndetit publik, dhe gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare kanë qenë drejtpërdrejtë të rrezikuar nga virusi COVID-19, familjet e tyre do të kenë një mbështetje të veçantë.

Aplikimi për masën 3.1 dhe do të bëhet në mënyrë elektronike, në vegëzën në vijim https://masa3-1.rks-gov.net, dhe do të jetë i hapur deri më datë 30 Nëntor 2021. Aplikimet trajtohen në baza javore, sipas radhës së aplikimit.

Dokumentet e nevojshme për aplikimin elektronik janë: certifikata e regjistrit civil përmes së cilës vërtetohet lidhja familjare e aplikuesit me të vdekurin dhe kopja/fotografia e faqes së pasme të letërnjoftimit të aplikuesit.

Vlen të theksohet që pas datës 1 Tetor 2021, ata që humbin familjarin nga infektimi me COVID-19 mund të përfitojnë mbështetje nga masa 3.1, vetëm nëse familjari i vdekur ka qenë i vaksinuar me të dy dozat e vaksinës kundër COVID-19.

Pakoja e Ringjalljes Ekonomike, e shpalosur nga Ministria e Financave, Punёs dhe Transfereve, synon krijimin e një shoqërie të barabartë dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve. Prandaj, operacionalizimi i masës 3.1 është i rëndësisë së lartë për t’u solidarizuar me familjet që kanë humbur familjaret nga virusi COVID-19, duke ua lehtësuar sado pak barrën financiare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA