Autoritetet turke nisën një hetim mbi pesë rrjetet më të mëdha të supermarketeve në vend, vetëm disa ditë pasi ata u fajësuan për çmimet e larta në vend.
Ministri turk i Tregtisë Mehmet Muş urdhëroi zyrtarët të inspektonin çmimet e një sërë mallrave duke nisur nga vezët, qumështi dhe perimet e deri tek artikujt e pastrimit në pesë zinxhirët ushqimore. “Rritja e çmimeve nga ana e tyre po dëmton tregje të tëra”, tha Presidenti Rexhep Tajip Erdogan këtë javë.
“Tregjet praktikisht po kthehen përmbys nga lëvizjet e çmimit që bënë këto pesë zinxhirë supermarketesh” u deklaroi ai gazetarëve në Nju Jork para se të kthehej në Turqi pasi mori pjesë në sesionin e 76 -të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Presidenti turk më herët qe zotuar se vendi do t`i merrte nën kontroll sa më shpejt çmimet dhe se qeveria do të parandalonte rritjen “e paarsyeshme” të tyre. Ministria e tregtisë njoftoi se ka nisur inspektime të njëkohësishme në supermarketet e mëdha në 9 provinca të Turqisë për fshirë Stambollin, Bursën, Ankaranë, Antaljan e Izmirin.
Top Channel