Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, deklaroi se misioni i BE-së është i gatshëm të asistojë së bashku me KFOR-in për qetësimin e situatës në veri të Kosovës. Wigemark njoftoi se për këtë çështje, pati dhe një takim me presidenten Vjosa Osmani.
“Takim shumë i dobishëm me presidenten e Kosovës, në lidhje me ngërçin në dy pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. EULEX-i vendosi ekipe në të dy pikat e përbashkëta kufitare një javë më parë dhe është gati të ndihmojë së bashku me NATO-n”, ka shkruar Wigemark në Twitter. Me herët, Komandanti i misionit paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë, gjeneral major Franco Federici, tha se masat e ndërmarra në veri të Kosovës kanë për qëllim “uljen e shpejtë të tensioneve”, si dhe “rivendosjen e mjedisit të sigurt” dhe të “lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet”.
Në një deklaratë të lëshuar të hënën në mbrëmje, Federici tha se KFOR-i ka ndërmarrë hapa të mëtejshëm në terren, duke rritur patrullimet përgjatë rrugëve kryesore, të prekura nga bllokadat, dhe duke vendosur njësitë e tij në vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Serbët lokalë i kanë bllokuar këto dy pika kufitare që gjenden në veri të Kosovës qysh më 20 shtator, kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për vendosjen e masave të reciprocitetit ndaj automjeteve me targa të Serbisë. Me këtë vendim, të gjitha automjetet nga Serbia që hyjnë në Kosovë, duhet të pajisen me targa të përkohshme. Për të monitoruar procesin, në kufijtë në veri është vendosur edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës.
Top Channel