A ndikojnë çrregullimet e gjumit tek sulmet e migrenës? Ja çfarë thonë ekspertët e shëndetit

28/09/2021 05:50

Sëmundja e migrenës njihet për efektet dhe krizat e vazhdueshme që shkakton, po edhe për dhimbjet e forta të kokës. Kjo sëmundje mund t’ju lërë ditë të tëra pa gjumë dhe të shkaktojë një sërë simptomash të tjera prej dhimbjes së vazhdueshme të kokës. Sipas ekspertëve, shumica e njerëzve me migrenë kanë gjithashtu probleme me gjumin.

Ata shprehen se gjumi është një nga sekretet për të parandaluar një sulm të migrenës. Duke u bazuar në studimet e fundit, ju njeh më tepër rreth lidhjes midis migrenës dhe gjumit.

Lidhja midis migrenës dhe gjumit
Gjumi, gjendja shpirtërore dhe dhimbja e kokës kontrollohen nga rajone të njëjta në trurin tuaj. Këto rajone përdorin mesazhe të ngjashme kimike, kështu që nuk është rastësi që problemet e gjumit të mund të shkaktojnë migrenë. Gjithashtu, kur nuk flini mjaftueshëm, pragu juaj i dhimbjes ulet. Kjo do të thotë që ju jeni më të ndjeshëm ndaj gjërave që ju lëndojnë, përfshirë sulmin e migrenës.

Cilat lloje të problemeve të gjumit mund të shkaktojnë një sulm migrene?
Çdo gjë që ju ndalon të bëni 7 ose 8 orë gjumë të pandërprerë, çdo natë, mund të jetë shkas i migrenës. Këto probleme të gjumit përfshijnë:

• Apnea obstruktive e gjumit (frymëmarrje e ndërprerë gjatë gjumit)
• Pagjumësia (probleme me rënien ose ngritjen nga gjumi)
• Sindroma e këmbëve të lodhura (ndjesia e shpimit nga gjilpërat në këmbë, sidomos gjatë natës)
• Shtrëngimi i nofullës gjatë gjumit
• Gërhitja
• Narkolepsia (përgjumje e madhe gjatë ditës)
• Ecja në gjumë
• Çrregullimet e ritmit cirkadian ose “orës bilogjike të trupit”.
• Më pak se 6 orë gjumë në natë ose më shumë se 8 orë

Si mund ta kuptoni nëse çrregullimet e gjumit po iu shkaktojnë migrenë?
Nëse një orar i ndryshuar i gjumit ose çrregullimet e gjumit janë shkaku i migrenës tuaj, mund të vini re se gjithmonë keni dhimbje koke në të njëjtën kohë çdo ditë, më shpesh në mëngjes. Migrena gjithashtu mund të ju zgjojë, ose mund ta ndjeni se shfaqet menjëherë pasi ngriheni nga shtrati. Më shumë se gjysma sulmeve të migrenës ndodhin midis orës 4 dhe 9 të mëngjesit. Kjo mund të jetë një arsye se përse ato lidhen me gjumin.

Gjithashtu mungesa e gjumit ose ndryshimet në orarin e gjumit, mund të jetë një nga shkaktarët e migrenës. Për të ndihmuar të përcaktoni nëse është gjumi një nga shkaktarët e migrenës tuaj, mbani një ditar. Në të shënoni gjëra të tilla si:

• Kur fillon dhimbja e kokës, në cilën zonë, sa zgjat dhe a funksionon trajtimi që mund të jeni duke ndjekur.
• Sa orë flini çdo natë dhe kur shkoni në shtrat.
• Rutina juaj e gjumit.
• Nëse zgjoheni gjatë natës.
• Si ndiheni kur zgjoheni në mëngjes.
• Nëse bëni një sy gjumë apo ndjeheni të përgjumur gjatë ditës.
• Mbajtja e një ditari gjithashtu mund t’ju ndihmojë ju dhe mjekun tuaj të kuptoni nëse vuani nga një çrregullim i gjumit.

Si mund të përmirësoni gjumin për të shmangur dhimbjet e kokës?

• Mundohuni të bëni 7 deri në 8 orë gjumë të pandërprerë çdo natë për një periudhë kokore të qëndrueshme.
• Shkoni në shtrat dhe zgjohuni në të njëjtën kohë çdo ditë.
• Sigurohuni që dhoma juaj të jetë në errësirë të plotë dhe pa zhurma shqetësuese.
• Shmangni kafeinën, nikotinën dhe alkoolin, sidomos para gjumit.
• Mundohuni të mos shikoni TV, të përdorni kompjuterin ose celularin para se të flini.
• Bëni aktivitete relaksuese para gjumit.
• Ushtrohuni rregullisht, por jo menjëherë para gjumit.
• Kaloni pak kohë jashtë në dritë natyrale gjatë ditës.

Nëse kjo gjendje shëndetsore nuk përmirësohet është mirë të këshilloheni me mjekun tuaj. Trajtimet, duke përfshirë ilaçet, ndryshimet në regjimin ushqimor dhe terapia, gjithashtu mund të ndihmojnë në parandalimin e migrenës./AgroWeb

Top Channel