Kombet e Bashkuara, nëpërmjet Departamentit të Punës (ILO) përllogaritën se gjatë vitit 2020, në Shqipëri 12% e totalit të të punësuarve morën paga nën kufirin e varfërisë relative 5 dollarë në ditë.
Statistikat e institucionit ndërkombëtar tregojnë se më shumë se 1/10 e të punësuarve në vendin tonë paguhen nga 3-5 dollarë në ditë. Pesha e të punësuarve me pagë nën kufirin e varfërisë erdhi në ulje gjatë vitit 2020, por jo si pasojë e rritjes së mirëqenies, por për shkak se, kriza pandemike goditi dhe la të papunë të punësuarit me pagë të ulët.
Sipas përllogaritjeve të ILO-s, 12% e të punësuarve në vendin tonë marrin një pagë mujore maksimumi 150 euro (18,000 lekë). Shqipëria konsiderohet nga një infomalitet i lartë në tregun e punës. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2020, informaliteti në sektorin e biznesit ishte 30%.
Puna në të zezë paguhet pak dhe nuk respekton standardin që referon Kodin i Punës dhe ligjet vendase, ku paga minimale gjatë vitit 2020 ishte 26,000 lekë kundrejt 40 orëve në javë. Në fabrikat fason dhe njësi të tjera të shërbimeve dhe tregtisë me pakicë, punonjësit punojnë 6 ditë në javë me orë të zgjatura dhe me paga që nuk arrijnë në nivelin e pagës minimale.
Teksa të drejtat e punonjësve mbi orët e punës dhe pagat nuk respektohen, në Shqipëri, thuajse nuk funksionojnë organizatat sindikale që avokojnë të drejtat e punonjësve që u jep ligji. Gjithashtu përveç punonjësve që janë humbësit më të mëdhenj, shteti është humbësi i dytë më i madh pasi për shkak të informalitetit të lartë në tregun e punës dhe në nivelin e pagave, nuk merr taksat nga pagat të tilla si sigurime shoqërore, shëndetësore dhe TAP.
Që nga rënia e regjimit komunist, Shqipëria u rrit nga një prej vendeve më të varfra në Europë në vitet 1990 në një vend me të ardhura të mesme të larta. Rezultatet e tregut të punës u përmirësuan gradualisht gjatë viteve të fundit dhe në vitin 2019, Shqipëria kishte shkallën më të lartë të punësimit midis ekonomive të Ballkanit Perëndimor (67%). Pandemia Covid-19 e 2020/21 çoi në një reduktim të përkohshëm të punësimit (65% në pranverë 2020), por normat e punësimit po rikthehen në nivelet e vjetra në fund të 2020-s.
Sfidat kryesore të tregut shqiptar të punës mbeten papunësia e lartë e të rinjve, një përqindje e lartë e të rinjve jo në arsim, punësim apo trajnim, nivele shumë të larta të punësimit joformal dhe një përqindje e lartë e fuqisë punëtore të punësuar në bujqësi (42%), kryesisht në punë me aftësi të ulëta dhe me produktivitet të ulët. /Monitor
Top Channel